Konflikti ushtarak në Ukrainë, vazhdojnë përpjekjet diplomatike për paqe

26.12.2025 17:37

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski...

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se bisedat telefonike me përfaqësuesit amerikanë, Uitkof dhe Kushner, kanë sjellë “ide të reja” për arritjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ai vlerësoi se ka përparim në përpjekjet diplomatike, edhe pse mbeten çështje të ndjeshme.

“Ne kemi disa ide të reja në lidhje me formatet, takimet dhe, sigurisht, kohën se si të arrihet paqja e vërtetë. Disa dokumente janë duke u përgatitur, ndërsa disa janë plotësisht të gatshme. Sigurisht, ende ka punë që duhet të përfundohet mbi çështje të ndjeshme. Por, së bashku me ekipin amerikan, e kuptojmë se si t’i zbatojmë të gjitha këto. Javët në vijim gjithashtu mund të jenë intensive.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Bisedat pasojnë pas planit të përmirësuar të paqes me 20 pika, të dakorduar mes ShBA-së dhe Ukrainës, që përfshin garanci sigurie nga ShBA-ja, NATO-ja dhe Evropa, si dhe mundësinë e një zone të demilitarizuar në Ukrainën lindore, por pa dorëzim territori. Rusia ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar, por vlerëson se negociatat me ShBA-në janë “të ngadalta, por të qëndrueshme”. 

Ajo kërkon që Uashingtoni t’i kundërvihet përpjekjeve evropiane për të minuar procesin, duke ripërsëritur se Moska është e gatshme për një marrëveshje të shkruar, ligjërisht të detyrueshme, për mos agresion ndaj BE-së dhe NATO-s.

“Negociatat ukrainase për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ShBA-në avancojnë ngadalë, por të qëndrueshme. Ky përparim shoqërohet me përpjekje jashtëzakonisht të dëmshme, madje edhe keqdashëse, nga një grup vendesh, kryesisht ato perëndimore evropiane, për të sabotuaar përpjekjet dhe për të penguar të gjithë avancimin diplomatik. Në dialogun tonë, ne vazhdimisht i bëjmë thirrje kolegëve amerikanë të kundërshtojnë aktivisht këtë proces shkatërrues. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë brenda kornizave të vendosura në nivel më të lartë në Enkordzh.”, - theksoi zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Marija Zaharova.

Ndërkohë, përparimi diplomatik nuk ka përmirësuar situatën në terren. Luftimet vazhdojnë – Ukraina raporton për sulme të reja ruse mbi Odesën, të cilat kanë goditur një objekt infrastrukturor dhe kanë shkaktuar zjarr, ndërsa Rusia raporton për një sulm me dronë të refuzuar në rajonin e Volgogradit. (Belinda Koka Ademi, TVM2)