Botë
Kosova voton, mbahen zgjedhjet e parakohëshme parlamentare
28.12.2025 13:05
Brenda vitit Kosova u përfshi dy herë në valët e zgjedhjeve...

Brenda vitit Kosova u përfshi dy herë në valët e zgjedhjeve për kuvend dhe qeveri të re. 28 dhjetori shënoi ditën e zgjedhjeve të parakohsme parlamentare për krijimin e institucioneve të Kosovës.
Albin Kurti nga Vetvendosja, Bedri Hamza nga PDK, Lumir Abdixhiku LDK dhe Ramush Haradinaj AAK masin forcat në kutitë e votimit si kandidatë të katër partive më të mëdha në Kosovë për kryeministër.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti njëherit edhe kandidat i Vetvendosjes për të parin e ekzekutivit, me shpresë se këto zgjedhje do të sjellin kuvendin dhe qeverinë e re kosovare.
“Ta përdorin mundësinë për t’u përcaktuar për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm dhe uroj e besoj e punojmë që legjislatura e dhjetë të konstituojë sa më shpejt Kuvendin e ardhshëm e njëkohësisht ta formojë Qeverinë e re”, deklaroi kryetari i Vetvendosjes, Albin Kurti.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me theks se në këtë ditë vendimmarrja i kthehet sovranit.
“Uroj që qytetarët e Kosovës në këtë ditë të rëndësishme që përcakton fatin e katër viteve të ardhshme të zgjedhin për zhvillim, stabilitet e për të ardhme euroatlantike të Republikës së Kosovës”, u shpreh kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Që në zgjedhje të mbisundojë demokracia ka qenë edhe urimi i kandidatit për kryeminsitër nga PDK, Bedri Hamza.
“Unë i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë. Jam i bindur që do të jetë ditë e qetë, e mirë, do të votojnë në mënyrë demokratike të qetë. Uroj që gjithçka të shkojë mbarë”, theksoi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Për Ramush Haradinajn nga AAK-ja, zgjedhjet e sotme janë vendimi më i madh që mund ta marrin qytetarët e Kosovës. Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, shpreson që menjëherë pasi të përfundojë ky proces zgjedhor, të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë që çon vendin përpara.
“Gjithnjë zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm demokratik ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë dhe shpresoj natyrisht që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të parlamentit e Qeverisë së Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme e ndërkombëtare për Republikën tonë”, deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndërkohë, Lista Serbe edhe në këto zgjedhje, si në ato lokale, ka votuar në mënyrë të organizuar. Kreu i kësaj partie, Zlatan Elek, ka thënë se pret që këto zgjedhje të jenë të qeta dhe demokratike.
Sipas Listës së Votuesve të certifikuar nga KQZ-ja në Kosovë të drejt vote kanë 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë. Ky organ njofton për proces të qetë dhe demokratik zgjedhor. Një ditë më parë votoi diaspora Kosovare.
U votua në16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës të shtrira në 18 shtete të huaja. Për të votuar në përfaqësi diplomatike ishin regjistruar gjithsej 19.187 votues, ndërkaq mbi 77 mijë votues nga diaspora do të votojnë me postë.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
