Botë

Tensione të reja, Kina rrit presionin ushtarak ndaj Tajvanit

29.12.2025 12:48

Tajvani i dënoi stërvitjet më të fundit ushtarake të Kinës pranë ishullit

Tajvani i dënoi stërvitjet më të fundit ushtarake të Kinës pranë ishullit, duke i quajtur ato një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin më të gjerë Indo-Paqësor. Forcat e armatosura dhe autoritetet e sigurisë po i ndjekin plotësisht të gjitha zhvillimet.
 
“Stërvitjet ushtarake të synuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës rreth Tajvanit jo vetëm që minojnë rëndë status quo-në e sigurisë dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor, por përbëjnë edhe një sfidë të hapur ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe rendit ndërkombëtar. Ne i dënojmë fuqishëm autoritetet kineze për mosrespektimin e normave ndërkombëtare dhe kërcënimin e vendeve fqinje me frikësim ushtarak.”, - deklaroi zëdhënëse e Kabinetit të presidentit të Tajvanit, Karen Kuo. 
 
“Ne protestojmë ashpër dhe i dënojmë veprimet e tyre arrogante dhe të paarsyeshme, të cilat në mënyrë të pashmangshme do të ndikojnë në sigurinë e transportit tonë ajror dhe detar.”, - theksoi ministri i Transportit i Tajvanit, Chen Shi-Kai.
 
“I dënoj të gjitha veprimet që përshkallëzojnë konfliktin rajonal. Qëndrimi im mbetet i palëkundur – ne duam dialog, jo konfrontim. Ne duam paqe dhe prosperitet, jo marrëdhënie turbulente.”, - u shpreh kryetari i Bashkisë së Tajpeit, Chiang Wan-An.
 
Ushtria kineze njoftoi se manovrat me emrin e koduar “Misioni i Drejtësisë 2025” janë një masë e nevojshme për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe unitetit kombëtar. Stërvitjet po zhvillohen në zonat detare dhe hapësirën ajrore rreth Tajvanit.
 
“Kjo është një paralajmërim i rreptë kundër forcave separatiste për pavarësinë e Tajvanit dhe një veprim legjitim dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e sovranitetit dhe unitetit kombëtar të Kinës.”, - deklaroi zëdhënësi i Komandës së Teatrit lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, Kolonel Shi Yi. 
 
Stërvitjet pasojnë pasi Pekini shprehu pakënaqësi ndaj njoftimit të Uashingtonit për një marrëveshje rekord armatimi për Tajpein, në vlerë mbi 11 miliardë dollarë. Për më tepër, tensionet u përshkallëzuan pas deklaratës së kryeministres japoneze Takaichi, në të cilën thuhej se ushtria e saj mund të përfshihej, nëse Kina ndërmerr masa kundër Tajvanit.


ARMEND MURSELI