Botë

Trampi dhe Zelenski u takuan në Florida, negociatat për paqen në Ukrainë ecin përpara

29.12.2025 14:06

Është arritur përparim i konsiderueshëm në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë...

Është arritur përparim i konsiderueshëm në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, njoftuan presidentët e ShBA-së dhe Ukrainës, Tramp dhe Zelenski, pas takimit në Florida. Çështja më e vështirë mbetet statusi i rajonit të Donbasit, i cili në masë të madhe ndodhet nën kontrollin rus. Kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se propozimi për shndërrimin e rajonit në një zonë të demilitarizuar ende nuk është harmonizuar.
 
“Ka një ose dy çështje shumë të ndërlikuara, shumë të vështira, por mendoj se i trajtojmë shumë mirë. Sot bëmë një hap të madh përpara, por në fakt ky progres është arritur gjatë muajit të fundit. Kjo nuk është një marrëveshje e një dite. Është një proces shumë i komplikuar.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Zelenski bëri të ditur se ekipet negociuese të Ukrainës dhe ShBA-së do të vijojnë bisedimet intensive edhe javën e ardhshme për të finalizuar marrëveshjen e paqes, ndërsa presidenti francez Makron njoftoi një takim të “Koalicionit të të gatshmëve” në Paris në fillim të janarit.
 
“Kemi arritje të mëdha, një plan paqeje me 20 pika, 90 për qind të dakorduara dhe 100 për qind garanci sigurie të dakorduara mes ShBA-së dhe Ukrainës. Janë pothuajse të dakorduara edhe garancitë e sigurisë mes ShBA-së, Evropës dhe Ukrainës; plani për prosperitet është në fazën e finalizimit dhe diskutuam edhe renditjen e hapave të ardhshëm. U pajtuam se garancitë e sigurisë janë pika kyçe për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha aspektet.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Para takimit me Zelenskin, Trampi zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin Putin. Nuk ka ende marrëveshje për armëpushim gjatë mbajtjes së referendumeve, diçka që Ukraina e konsideron thelbësore për zgjidhjen e çështjeve territorial, ndërsa Kremlini kërkon që Kievi të vendosë shpejt për Donbasin, duke marrë parasysh zhvillimet në front.
 
“Më e rëndësishmja është se presidentët rusë dhe amerikanë në përgjithësi ndajnë të njëjtin qëndrim se një armëpushim i përkohshëm, i propozuar nga ukrainasit dhe evropianët me justifikimin e përgatitjes për referendum ose me arsye të tjera, do të çonte në vazhdimin e konfliktit dhe rrezikun e rifillimit të armiqësive.”, - theksoi këshilltari për Politikë të Jashtme i presidentit rus, Jurij Ushakov.
 
Nga Uashingtoni paralajmëruan se dështimi ose zvarritja e negociatave do të nënkuptonte vazhdimin e luftës. Sa i përket një takimi të mundshëm trelateral, Trampi beson se Rusia, Ukraina dhe ShBA-ja mund të takohen në kohën e duhur.
 
FARIJE DAUTI BAKIU