Maqedoni

Gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls”, familjet e viktimave po japin dëshmitë e tyre

29.12.2025 14:23

Gjykimi për zjarrin në diskotekën e Koçanit "Puls" vazhdoi me dëshminë e Marija Petrushevës...

Gjykimi për zjarrin në diskotekën e Koçanit "Puls" vazhdoi me dëshminë e Marija Petrushevës, e ëma e viktimës Andrej 24-vjeç. Petrusheva para trupit gjykues përshkroi natën e zjarrit në detaje, tha se djali i saj Andrej telefonoi për herë të fundit në orën 06:30 të mbrëmjes, duke thënë se ishte i rraskapitur.
 
“Rreth orës 02:45 të mëngjesit dëgjuam sirenat e para. Shikova nga dritarja në drejtim të spitalit dhe pashë një kamion zjarrfikës që po shkonte drejt daljes së qytetit. Unë dhe burri im shkuam në tarracën tjetër dhe pamë qiellin që shkëlqente në distancë, pikërisht aty ku është diskoteka “Puls”. E dija që atje kishte një koncert i  grupit DNK dhe menjëherë fillova t’i telefonoja dy djemtë e mi. I shkrova edhe Andreit në Instagram në orën 03:10 të mëngjesit, por mesazhi mbetet i palexuar deri më sot.”, - theksoi nëna e viktimës, Marija Petrusheva. 
 
Sipas saj, ajo me burrin e sajë u drejtua menjëherë në drejtim të diskotekës, ku gjeti qindra njerëz, panik dhe flakë që kishin përfshirë tashmë objektin. Ndërsa burri i saj hyri në diskotekë për të kërkuar fëmijët, Petrusheva po i kthente përmbys të rinjtë e plagosur në parking, duke shpresuar se nuk do ta njihte djalin e saj midis tyre.
 
“Një fëmijë më dëgjoi duke bërtitur dhe tha: “Xhaxha, Kristiani është mirë dhe Andrej kishte puls të dobët, i çuan me ambulancë.”. Atëherë ndjeva shpresë. Nuk e kuptova që fëmijët që pashë të shtrirë në tokë kishin vdekur, mendova se sapo kishin humbur ndjenjat nga tymi.”, - u shpreh nëna e viktimës, Marija Petrusheva.
 
Petrusheva i përshkroi skenat në spitalin e Koçanit si “të tmerrshme”. Korridoret ishin plot me trupa të nxirë dhe të djegur përtej njohjes. Ajo e gjeti djalin e saj të vogël, Kristijan, në repartin e mjekësisë së brendshme.
 
“Kur më pa, Kristiani më tha vetëm: “Mami, nuk munda ta shpëtoja vëllanë tim.”. Shkova në dhomën numër 2. Andrei ishte shtrirë aty, dukej aq i gjallë sa nuk e besoja se kishte vdekur. Po i jepnin frymëmarrje artificiale, mendova se po bënte zhurma, se po kthehej… Iu luta mjekut që po kalonte të bënte diçka, por ai vetëm më shikoi, i mori pulsin dhe më tha se tashmë po ftohej. Më tha se edhe tre fëmijët e tjerë në dhomë kishin vdekur.”, - theksoi nëna e viktimës, Marija Petrusheva.
 
Në bankën e të akuzuarve janë 35 individë dhe tre persona juridikë. Prokuroria pretendon se “Puls” nuk ishte një aksident, por rezultat i viteve të paligjshmërisë. Diskoteka kishte funksionuar ilegalisht që nga viti 2012, pa mbrojtje të duhur nga zjarri, me rindërtime të paregjistruara dhe pa përmbushur kërkesat minimale teknike për sigurinë e vizitorëve.
 
FITIM KRYEZIU