Ekonomi
Mickoski: Qeverisë i përgjigjet rritja e pagës minimale
29.12.2025 15:47
Mickoski ripërsëriti se Qeveria do ta mbështesë Marrëveshjen për pagën minimale...

Kryeministri Hristijan Mickoski ripërsëriti se Qeveria do ta mbështesë Marrëveshjen për pagën minimale ndërmjet sindikatave dhe punëdhënësve, e cila do të arrihet në Këshillin Ekonomiko-Social. Sipas tij, me rritjen e të ardhurave mujore të punëtorëve, edhe shteti do të ketë të ardhura më të mëdha në buxhet. Sipas Mickoskit, Eurostati si institucion i vetëm relevant në Evropë, thotë se shporta e konsumit në vendin tonë është më e ulëta në Evropë.
“Qëndrimin tonë lidhur me pagën minimale e kemi thënë, po e përsëris: ne si Qeveri na përgjigjet rritja e pagës minimale, sepse do të kemi të ardhura më të mëdha në buxhet. Ne jemi punëdhënës i 100.000 të punësuarve, ndërsa shteti ka 705.000 të punësuar. Kjo do të thotë se ata 600.000 do të vijnë te ne. Nëse shohim në mënyrë egoiste, atëherë mund të themi që nga nesër të rritet, por ne themi se jemi Qeveri, që në kuadër të dialogut social, ndërmjetëson mes punëdhënësve dhe punëtorëve. Prandaj, çdo marrëveshje që ata do ta arrijnë, ne mbetemi në qëndrimin se si Qeveri do ta mbështesim.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi gjithashtu se Eurostati ka publikuar për gjysmën e parë të vitit fuqinë blerëse të pagës minimale, ku janë analizuar 27 vende në Evropë që kanë të zbatuar pagën minimale. Kjo, sipas kryeministrit, ka dëshmuar se Maqedonia gjendet në mes krah për krah me Greqinë dhe shumë më konkurrues se Bullgaria, Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria, etj. Ai deklaroi se jemi vendi i vetëm, që, krahasuar gjysmën e parë të vitit 2025 me gjysmën e parë të vitit 2024, ka rritje të fuqisë blerëse të pagës minimale. Te të gjithë të tjerët ka ose stagnim, ose rënie. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, në rast të mos rritjes së pagës minimale, paralajmëroi për protesta dhe greva.
FLORIJE KAMBERI
