Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, 110 milionë denarë investime infrastrukturore
Rikonstruimi i tre laboratorëve dhe i hapësirës para hyrjes...

Rikonstruimi i tre laboratorëve dhe i hapësirës para hyrjes, furnizimi me pajisje bashkëkohore, si dhe edukimi i mjekëve dhe akushereve janë vetëm një pjesë e projekteve të realizuara në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, në kuadër të procesit të rikonstruksionit dhe furnizimit me pajisje të reja.
Për këtë projekt janë investuar rreth 34/35 milionë denarë, ndërsa për pajisje mjekësore 75 milionë denarë ose gjithsej rreth 110 milionë denarë.
“Hapja e reparteve të riparuara dhe rikonstruimi nuk përbën vetëm një pjesë të përfunduar të procesit ndërtimor, por është rezultat i një pune sistematike, planifikimit të përgjegjshëm dhe përkushtimit të përbashkët i të gjithë ekipit mjekësor dhe administrativ të kësaj klinike, që kanë për qëllim krijimin e kushteve për kujdes më të mirë shëndetësore për qytetarët e vendit tonë.”, - deklaroi drejtoresha e Klinikës, Irena Aleksioska Papestiev.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se Klinika i përmbush të gjitha standardet evropiane.
“Pra, sot këtu si në aspekt të infrastrukturës, ashtu edhe në aspekt të teknologjive kemi një klinikë, në të cilën foshnjat që lindin këtu, kanë një infrastrukturë që kërkohet dhe duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Gjatë hapjes solemne të departamenteve në këtë klinikë, kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje të rinjve të krijojnë familje më të mëdha dhe të realizohen si prindër, për të përballuar rënien e ndjeshme të lindjeve në vend.
“Qëllimi ynë është të forcojmë shëndetësinë publike, politika jonë është politikë pro-jetës. Dua t’u dërgoj një mesazh të rinjve që të vendosin të realizohen si prindër, të lindin sa më shumë foshnja. Nga viti 2016 deri në vitin 2024 kemi 6.000 foshnja më pak të lindura. Nëse një klasë ka 20 nxënës, kjo do të thotë 300 klasa kanë mbetur bosh. Nëse një klasë është e gjatë 20 metra, atëherë kemi 6 kilometra klasa bosh. Afërsisht kështu duket shuarja e një kombi.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski u shpreh se është e kotë të ndërtohen shkolla, çerdhe, kënde lojërash dhe rrugë, nëse nuk ka kush t’i përdorë, duke theksuar se investimet në infrastrukturë kanë kuptim vetëm nëse rritet edhe numri i lindjeve. Ai shtoi se do të vazhdojë të flasë për këtë temë, pavarësisht kritikave. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
