Rajon

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje shënoi fitore bindëse

29.12.2025 16:01

Kurti, së bashku me partnerët e koalicionit kanë shënuar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare....

Lëvizja Vetëvendosje në krye me liderin e saj, Albin Kurti, së bashku me partnerët e koalicionit, kanë shënuar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare. Vetëvendosja menjëherë pas grumbullimit të rezultateve kanë festuar në sheshin e Prishtinës fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV ka fituar 431.442 vota apo rreth 49.30%; PDK 183.826 vota apo 21.00%; LDK 118.772 vota apo 13.57%; AAK 49.675 vota apo 5.68%; Lista Serbe 41.823 vota apo 4.78% dhe Nisma Socialdemokrate 14.980 vota apo 1.71%. 
 
Pas këtij rezultati, lideri i partisë më të madhe i Vetëvendosjes, Albin Kurti, falënderoi popullin e Kosovës për mbështetjen.
 
“Fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës.”, - deklaroi lideri i LVV-së, Albin Kurti.
 
Kurti u ndal edhe në zgjedhjen e presidentit të vendit, ku tha se Kosova mund të ketë edhe ngërçin tjetër politik në lidhje me zgjedhjen e presidentit. 
 
“Nuk do të vonohemi që ta trajtojmë edhe këtë çështje. Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën për çështjen e presidentit të ardhshëm, paraprakisht do të ulem dhe të bisedoj me presidenten aktuale, e më pastaj do t’i ndërmarrim edhe hapat e ardhshëm, në mënyrë që të ecim përpara bashkë.”, - theksoi lideri i LVV-së, Albin Kurti.
 
Kryetari i partisë së dytë më të madhe, asaj të PDK-së, Bedri Hamza, pas procesit zgjedhor, ka theksuar se do të kenë takime me strukturat e partisë dhe se vendimet do të merren me kohë, të analizuara e peshuara mirë dhe se nuk do të vonohet në vendimmarrje. Lideri i LDK-së, Lumnir Abdixhiku, ka theksuar se përgjegjësinë për këtë rezultat të dobët e merr ai. Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se pavarësisht përfundimit të ngërçit institucional, problemet kryesore të qytetarëve mbeten të pazgjidhura.
 
Nga KQZ-ja, ndërkohë, kanë njoftuar se në Qendrat Komunale të Numërimit, ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Po ashtu nga KQZ-ja kanë njoftuar se 84.24% e votuesve të diasporës të regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike jashtë Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
 
FITIM KRYEZIU