Botë

India nën pushtetin e ndotjes: Dhjetëra qytete të mëdha po bëhen të pabanueshme

29.12.2025 19:51

Qytetet e mëdha të Indisë po përballen me një krizë serioze jetese...

Qytetet e mëdha të Indisë po përballen me një krizë serioze jetese, pavarësisht rritjes së shpejtë ekonomike të vendit.
 
Sipas një analize të BBC-së, metropole si Delhi, Mumbai, Bengaluru dhe Jaipur po vuajnë nga ndotja e ajrit, trafiku i rënduar, rrugët e dëmtuara dhe mbeturinat e pambledhura.
 
Në Delhi, smogu i dimrit ka arritur nivele të rrezikshme, duke detyruar mjekët të paralajmërojnë për pasoja serioze shëndetësore, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.
 
Në Mumbai, përmbytjet dhe gropat në rrugë kanë shkaktuar protesta të qytetarëve, ndërsa Bengaluru po cilësohet si një nga qytetet me trafikun më të keq në vend.
 
Ekspertët theksojnë se problemi kryesor lidhet me keqqeverisjen urbane.
 
Qytetet indiane kanë pak pushtet real vendimmarrës, ndërsa kontrolli mbetet në duart e qeverive shtetërore.
 
Gjithashtu reforma kushtetuese që synonte forcimin e pushtetit vendor nuk është zbatuar plotësisht.
 
Ndryshe nga Kina, ku kryetarët e qyteteve kanë autoritet dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë, në Indi mungon një model funksional i qeverisjes urbane.
 
Analistët paralajmërojnë se pa reforma të thella dhe të dhëna të sakta mbi urbanizimin, qytetet indiane rrezikojnë të bëhen gjithnjë e më të pabanueshme, pavarësisht investimeve të mëdha në infrastrukturë.