Përshkallëzohen tensionet mes Kinës e Tajvanit
Ushtria kineze nisi të hënën stërvitjen e saj ushtarake...

Ushtria kineze nisi të hënën stërvitjen e saj ushtarake më të madhe përreth Tajvanit. Gjatë stërvitjes me armë zjarri do të simulohet edhe një bllokadë e porteve kryesore të Tajvanit. Pekini pretendon se Tajvani është territor kinez dhe synon ta “ribashkojë” atë me Kinën edhe me forcë nëse do të jetë e nevojshme.
Tajvani, i cili i hedh poshtë pretendimet territoriale të Pekinit, i kërkoi Kinës “të mos e gjykojë gabim situatën dhe të bëhet shkaktare problemesh në rajon”.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit e dënoi veprimin e Kinës si “irracional” dhe tha se kishte krijuar një qendër reagimi ndaj emergjencave dhe kishte mobilizuar forca të përshtatshme për t’u përgjigjur.
Ky operacion ushtarak i Kinës vjen disa ditë pasi ShBA-ja njoftuan për një paketë shitjeje armësh prej 11.1 miliardë dollarësh për Tajvanin. Nëse kjo miratohet nga Kongresi, kjo do të jetë marrëveshja më e madhe amerikane-tajvaneze për armatimin.
“Ushtria kineze po teston se si do të përgjigjet qeveria amerikane.”, thotë Uilliam Yang, analist për Azinë Verilindore pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Me fillimin e një raundi tjetër stërvitjesh ushtarake, Pekini mund të jetë gjithashtu duke testuar edhe nëse ShBA-ja do të përgjigjen me veprime të forta apo do të ndjekin një qasje më të matur për të mos dëmtuar rrethanat për vizitën e presidentit Donald Tramp në Kinë vitin e ardhshëm, tha Jang.
Në nëntor Trampi tha se kishte pranuar ftesën për të vizituar Pekinin në prill 2026 dhe e ftoi presidenti kinez Xi Jinping për një vizitë shtetërore në ShBA.
