Ekonomi

Çmimi i energjisë elektrike, Bislimovski: Rritja e çmimit ishte e pashmangshme

30.12.2025 14:09

Bislimovski, në një intervistë për “360 Shkallë” në RTM, tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte e pashmangshme....

Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski, në një intervistë për “360 Shkallë” në RTM tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte e pashmangshme. Ai theksoi se duhet të tregohet mirëkuptim për "Elektranat e Maqedonisë së Veriut" (EMV), pasi kompania shtetërore ka nevojë të qëndrojë në këmbë të shëndosha.
 
“Në pjesën e tarifave të rrjetit ulëm çmimin për transmetim dhe shpërndarje dhe në tërësi e ulëm me 5 për qind, sepse kishte hapësirë për ta ulur. Ulëm edhe çmimin e MEPSO-s, ulëm edhe çmimin e ‘Elektroshpërndarjes’, ulëm edhe çmimin e MEMO-s. Në pjesën e EMV-së, të gjithë duhet të tregojmë mirëkuptim. Situata është e vështirë, EMV po operon me humbje dhe EMV është kompani kyçe në sektorin e energjisë. Për EMV-në, pavarësisht nëse do të mbijetojë apo jo, nuk kemi skenar B. EMV duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha.”, - deklaroi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski. 
 
Bislimovski tha se nëse çmimi i energjisë për termocentralet shtetërore do të ishte mbajtur në 62 euro për megavat-orë, situata do të ishte përkeqësuar, duke theksuar se rritja në 65 euro ishte e nevojshme.
 
“EMV edhe në vitet 2024, 2023, 2022 dhe 2021 i mbylli me humbje. Tani nuk e di si ishte, ndoshta në vitin 2023 ose 2024 tregoi njëfarë fitimi, por kjo ishte kryesisht për shkak të transfereve, që u bënë nga buxheti i shtetit. Pra, nëse çmimi do të kishte mbetur i njëjtë, situata do të ishte përkeqësuar edhe më shumë. EMV merr rrezikun e sigurimit të energjisë elektrike për nevojat familjare me 65 euro, dhe në realitet çmimi i saj i prodhimit është midis 90 dhe 100 euro për megavat-orë. Pra, që nga fillimi, EMV, për të siguruar rreth tre miliardë e 200 milionë kilovat-orë, ka operuar me humbje. Pra, aty ku ka shitje më të mëdha, ka edhe humbjet më të mëdha. Dhe tani, nëse do të kishte mbetur 62 euro, humbjet financiare në EMV do të ishin rritur edhe më shumë.”, - theksoi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski. 
 
I pyetur nëse mund të pritet padi para Gjykatës Administrative nga “EVN Home”, sepse rritja e çmimit të energjisë elektrike është më e vogël se ajo që kërkoi furnizuesi universal, Bislimovski tha: “Furnizuesi universal është i detyruar të zbatojë vendimin tonë.”.
 
ARMEND MURSELI