KShPK shqyrton ankesat, ministri i Shëndetësisë nuk e ka shkelur Kodin Zgjedhor
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në seancën e fundit për vitin 2025 trajtoi disa lëndë që lidhen me deklarimin e pasurisë, shkeljet e Kodit Zgjedhor, keqpërdorimet e detyrës dhe korrupsionin gjyqësor.
Disa prej tyre u hodhën poshtë si të pabazuara, ndërsa për të tjerat u konstatua mungesë kompetence.
Ndër ankesat ishte edhe ajo ndaj ministrit të Shëndetësisë për shkelje të Kodit Zgjedhor gjatë zgjedhjeve lokale 2025, për pjesëmarrje në një ngjarje publike me rastin e hapjes së një ambulance. Procedura u ndërpre, pasi u konstatua se nuk kishte shkelje ligjore, siç sqaroi edhe anëtarja Cveta Ristova.
“Ky aktivitet nuk përbën ngjarje publike për fillimin e ndërtimit të një objekti me mjete nga buxheti, pasi bëhet fjalë për një institucion shëndetësor privat. Për këtë arsye, KShPK konstatoi se pretendimet e paraqitura nuk tregojnë shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, as të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit.”, - deklaroi anëtarja e KShPK-së, Cveta Ristova.
Anëtarët nuk konstatuan konflikt interesi as në ankesën ndaj drejtorit të një ndërmarrjeje komunale, për të cilin në ankesë thuhet se ka qenë e punësuar edhe bashkëshortja e tij paraprakisht si arkëtare.
Anëtari i KShPK-së, Besnik Xhemaili, tha se në ankesë pretendohet se kjo situatë përbën konflikt interesi, pasi njëri bashkëshort është drejtor, ndërsa tjetri arkëtar, por se sipas KShPK-së nuk është në kundërshtim me ligjin.
“Pas shqyrtimit të ankesës, KShPK-ja konstatoi se nuk ekziston situatë në kundërshtim me ligjin dhe se ligji nuk parashikon ndalim që persona të afërt të jenë të punësuar në të njëjtin institucion dhe se ndalesa e vetme ka të bëjë me ushtrimin e ndikimit gjatë punësimit të të afërmve.”, - theksoi anëtari i KShPK-së, Besnik Xhemaili.
Ndër ankesat kishte edhe një të tillë që tregonte për veprime kriminale të gjyqtarëve në një gjykatë themelore dhe në Gjykatën e Apelit në vend. Ankuesi ka theksuar se tash e dy vjet nuk arrin ta realizojë të drejtën e tij të trashëgimisë prej 50 për qind të një kompanie, të lënë nga gjyshi i tij, për shkak të sjelljes së korruptuar të gjyqtarëve. Xhemaili theksoi se kjo përbën shkelje të një të drejte individuale dhe se nuk është lëndë në kompetencë të KShPK-së. Ai shtoi se e njëjta ankesë do t’i përcillet Këshillit Gjyqësor. (Armend Murseli, TVM2)
