Rajon
Rama: Balluku, e dyshuar pa prova konkrete
30.12.2025 14:51
Rama mbajti konferencën e fundvitit me gazetarët...

Kryeministri Edi Rama mbajti konferencën e fundvitit me gazetarët, duke bërë një bilanc të qeverisjes e duke iu përgjigjur interesit të mediave lidhur me çështjet më të nxehta të Qeverisë me drejtësinë. Ai u shpreh se SPAK-u nuk është opozita e Qeverisë dhe se opozita e vërtetë i rri poshtë dritares, sepse nuk e rrëzon dot Partinë Socialiste.
“SPAK-u nuk është opozita e Qeverisë, një institucion i ri i krijuar valë vullnetit të kësaj qeverie, i garantuar nga kjo forcë. Depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita politike e qeverisë, bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur Qeverinë. Nuk dinë të bëjnë opozitën e Qeverisë, nuk dinë ta mundin PS-në.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
I pyetur rreth hetimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Rama tha se ajo është thjesht një e dyshuar pa prova.
“Po të isha atje (në këshillin e mandateve), do u thoja (prokurorëve të SPAK-ut) çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për deputetët, s’mund të vini me 16 mijë faqe që i quani prova. Ato 16 mijë faqe nuk janë absolutisht produkt i hetimit, s’ka si të jenë, janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda. 16 mijë faqe janë një vandak me dokumente zyrtarë. USB e sjellë nga SPAK-u se ka tërhequr asnjë deputet i PS-së dhe as ministrja, avokati.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa lidhur me hetimin e AKShI-së, drejtoresha e të cilit është në arrest shtëpie, kreu i Qeverisë shqiptare deklaroi se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është një krenari kombëtare që ka sjellë revolucion në digjitalizim.
“Ne morëm 83 mandate në qershor, dorëheqje për çfarë? Për AKShI-në? AKShI është një institucion krenarie për ne, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenarë, sepse kur duhet të shkonit të mbanit radhë për çdo lloj letre, dhe kur ata që kishit jashtë duhej të vinin këtu se s’kishte shans të merrnin një letër atje.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri foli edhe për rritjen e pagës minimale në 500 euro nga 1 janari, rritjen e pensioneve dhe një sërë investimesh në infrastrukturë, shëndetësi e arsim.
LULJETA NDOKA
