Maqedoni
Reforma, Qeveria miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike
30.12.2025 15:55
Pas vlerësimit pozitiv nga Komisioni i Venedikut, në seancën e sotme qeveritare është miratuar Ligji për Prokurorinë Publike...

Pas vlerësimit pozitiv nga Komisioni i Venedikut, në seancën e sotme qeveritare është miratuar Ligji për Prokurorinë Publike, si një nga hapat kyçe në zbatimin e agjendës reformuese nga Fusha 5, Vlerat Themelore, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit. Miratimi i këtij ligji përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së Prokurorisë Publike, si shtyllë e sistemit juridik dhe garantuese e mbrojtjes së interesit publik. Ligji është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës analize, konsultimesh dhe harmonizimi me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
"Me zgjidhjen e re ligjore parashikohen ndryshime në procedurën për zgjedhjen e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kritere dhe mekanizma të qartë të përcaktuar që sigurojnë një qasje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në meritë për përzgjedhjen e kandidatëve më cilësorë. Në ligj janë përfshirë rekomandimet përkatëse, me qëllim që procesi të jetë i lirë nga ndikimet politike dhe të bazohet ekskluzivisht në profesionalizëm, integritet dhe kredibilitet profesional.", thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ligji parashikon afate të sakta dhe detyruese për procedurat e zgjedhjes dhe avancimit, si dhe fut parimin e kategorizimit të përgjegjësisë disiplinore të prokurorëve publikë, gjë që kontribuon në rritjen e sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe funksionalitetit të sistemit, si dhe në rritjen e përgjegjësisë së vetë prokurorëve publikë. Miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike është një dëshmi konkrete e vendosmërisë për të ndërtuar institucione të forta, të pavarura dhe profesionale, në shërbim të qytetarëve dhe sundimit të ligjit, thonë nga Qeveria. Ndërkohë nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se në paketën reformuese të ligjeve është edhe Ligji për provën (probacionin), për ekzekutimin e sanksioneve dhe për shoqatat, për të cilat parashikohen ndryshime kyçe.
FLORIJE KAMBERI
