Maqedoni

Gara për Vrapçishtin, Demiri vazhdon fushatën në takime me qytetarët

30.12.2025 16:08

Demiri ka vazhduar fushatën në takime me banorët e Komunës së Vrapçishtit

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, i mbështetur edhe nga Koalicioni VLEN dhe ASh-ja e Ziadin Selës, ka vazhduar fushatën në takime me banorët e vendbanimeve të kësaj komune. Demiri së fundmi ka qëndruar në Gradec dhe Senakos, ku, siç thotë ai, ka gjetur përkrahje të fuqishme nga qytetarët për projektin e tij për zhvillim të Vrapçishtit.  
 
“Qëndrova në Gradec dhe në dy lokacione në Senakos, ku dëgjova hallet e shumë banorëve nga këto fshatra.  Në çdo cep të Komunës së Vrapçishtit marrim të njëjtin mesazh: Boll më stagnim dhe keqpërdorime në kurriz të banorëve. Në çdo vendbanim të komunës sonë po gjejmë përkrahje të fuqishme për ndryshim dhe zhvillim të Vrapçishtit. Komuna e Vrapçishtit dëshiron zhvillim, infrastrukturë dhe mirëqenie. E kemi shansin historik, të bashkohemi për ndryshim të vërtetë, zhvillim, mirëqenie dhe infrastrukturë dinjitoze. Këtë të ardhme do ta shkruajmë bashkërisht me votimin në ditën e zgjedhjeve më 11 janar.”, thekson kandidati i pavarur për kryetar të Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri.  
 
GYLTENE SINANI