Botë

Rusia akuzon Ukrainën për sulm me dron, Kievi mohon sulmin ndaj rezidencës së Putinit

30.12.2025 16:16

Sulmi i pretenduar me dronë ndaj rezidencës së presidentit rus ka nxitur reagime të forta nga Moska....

Sulmi i pretenduar me dronë ndaj rezidencës së presidentit rus Vladimir Putin në Novgorod, në prag të negociatave për paqe, ka nxitur reagime të forta nga Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se ky veprim synon të minojë procesin e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës, duke shtuar se nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë e presidentit, por edhe me pengimin e përpjekjeve ndërkombëtare për një zgjidhje diplomatike dhe rritjen e tensioneve.
 
“Ky akt terrorist ka për qëllim prishjen e procesit negociues. Ai nuk është i drejtuar vetëm kundër presidentit Putin personalisht dhe këtu do të doja të kujtoja fjalimin e Krishtlindjeve të Zelenskit dhe fjalët që ai i drejtoi Putinit. Por, ai është gjithashtu i drejtuar kundër Trampit. Kjo ka për qëllim të pengojë përpjekjet e presidentit Tramp për të çuar përpara një zgjidhje paqësore të konfliktit ukrainas, një konflikt kaq kompleks.”, - deklaroi zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitri Peskov.
 
Ukraina mohoi çdo përfshirje në sulmin e pretenduar me dronë, duke e cilësuar incidentin si të fabrikuar. Sipas Kievit, Rusia i përdor këto akuza për të sabotuar negociatat e paqes dhe për të krijuar justifikime për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës dhe intensifikim të sulmeve.
 
“Me deklaratën e tyre se gjoja është sulmuar ndonjë rezidencë e tyre, ata në thelb po përgatisin terrenin për kryerjen e sulmeve, me gjasë ndaj kryeqytetit dhe ndoshta ndaj ndërtesave qeveritare.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Ndërkohë që përplasjet diplomatike vazhdojnë, situata në terren mbetet e rëndë dhe luftimet nuk ndalen. Forcat ruse kryen një tjetër sulm ndaj qytetit të Zaporizhias, duke shkaktuar dëme të mëdha në zona të banuara dhe në infrastrukturë industriale.
 
“Mbërrita në punë në orën 05:15. Sapo kisha arritur në vendin e punës kur ndodhi goditja. Pashë gjithçka. Ishte shumë shpërthim i fortë, në strehimore po dridheshin dyert.”, - tha një banor i Zaporizhias, Serhi.
 
“Kur goditi, gjysma e dritares fluturoi atje, ndërsa këtu nuk mbyllet më. Në këtë dhomë tavani u shemb, ndërsa në tjetrën pjesërisht.”, - u shpreh banorja e Zaporizhias, Nadia.
 
Donald Tramp deklaroi se është shumë i zemëruar për sulmin e supozuar nga Kievi, pasi një ditë më parë kishte vlerësuar se Ukraina dhe Rusia janë më afër se kurrë një marrëveshjeje paqeje, megjithëse ende po punojnë për çështje kyçe, përfshirë edhe statusin e Donbasit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU