Maqedoni
Gara për Gostivarin, Limani shpalosi vizionin e tij për këtë komunë
31.12.2025 13:54
Limani ka shpalosur vizionin e tij katërvjeçar, nëse arrin të zgjidhet në krye të Gostivarit...

Kandidati i AKI-së për kryetar të Gostivarit, Valbon Limani, ka shpalosur vizionin e tij katërvjeçar, nëse arrin të zgjidhet në krye të kësaj komune. Limani thotë se programi i tij përmban projekte konkrete, që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve të Gostivarit.
“Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i urës së re mbi lumin Vardar, të quajtur ura e harmonisë. Të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për këtë projekt janë nga fundi dhe në pranverë besojmë se do të nisim me punimet. Ura do të ketë katër korsi për automjete, dy korsi për biçikleta, dy korsi për këmbësorë. Ajo do të lidhë lagjet e qytetit, do të lehtësojë komunikacionin dhe do t’i japë shtysë reale zhvillimit ekonomik të Gostivarit.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Gostivarit, Valbon Limani.
Ai thekson se angazhohet për një Gostivar modern dhe të zhvilluar. Sipas Limanit, kjo është dëshmuar edhe gjatë 16 muajve në drejtim të Gostivarit si ushtrues detyre, pasi sipas tij, rezultatet janë të prekshme. Lidhur me akuzat e Bejtës për keqpërdorim të buxhetit, Limani paralajmëron padi për shpifje.
GYLTENE SINANI
