Viti 2025, tragjedi, bllokime dhe teste politike
31 dhjetor 2025 - Dita e fundit e këtij viti...

31 dhjetor 2025 - Dita e fundit e këtij viti si rëndom shërben për të parë atë se çfarë kemi kaluar dhe për të analizuar atë që na pret. Të shohim pra ngjarjet që karakterizuan vitin 2025.

Tragjedia në Koçan alarmoi shtetin
Ngjarja më e rëndë dhe më tronditëse e vitit ishte tragjedia e marsit në Koçan, ku humbën jetën të paktën 62 persona dhe mbi 150 u plagosën. Tragjedia shkaktoi reagim të fortë publik dhe institucional, duke hapur debate të ashpra mbi sigurinë, kontrollin shtetëror dhe përgjegjësinë institucionale. Pas tragjedisë, hetimet policore dhe prokuroriale u zgjeruan në një skemë të gjerë penale që lidhej me funksionimin e klubit dhe dhënien e lejeve. Në fazat e para u lëshuan rreth 20 urdhër-arrestime, përfshirë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë. Hetimet zgjatën, ndërsa Koçani u shndërrua në simbol të dështimeve sistemore dhe nevojës për reforma reale.
Përplasje për përfaqësimin
Viti u shënua nga përplasje të vazhdueshme për përfaqësimin e drejtë dhe barazinë institucionale. Opozita shqiptare akuzoi pushtetin për diskriminim duke publikuar edhe të dhënat ku në institucione të ndryshme punësoheshin vetëm maqedonas dhe asnjë shqiptar. Nga VLEN-i mohuan këto akuza, ndërsa në Qeveri u miratua projekt-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Nga VLEN-i theksuan se përfaqësimin e drejtë e shndërruan në ligj. Ligji u dërgua për të marrë vlerësim nga Komisioni i Venecias, ndërsa i njejti pritet të hyjë në fazën parlamentare.

Dalja e Taravarit nga VLEN-i
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm politik ishin zhvillimet brenda koalicionit shqiptar VLEN. Kriza kulmoi në prill me daljen e Arben Taravarit dhe subjektit të tij nga ky koalicion, pas vendimit për të garuar me lista të veçanta në zgjedhjet lokale. VLEN-i e interpretoi këtë veprim si prishje të marrëveshjes politike duke e ndërlidhur me pazare politike dhe korrupsion, ndërsa Taravari deklaroi se largimi nga Qeveria ishte rezultat i dështimit për përmbushjen e premtimeve ndaj shqiptarëve. Nga ana tjetër, në VLEN vazhdoi të mbetet një strukturë e Aleancës për Shqiptarët e kryesuar nga Arben Fetai, ndërsa për ministër të Shëndetësisë u zgjodh Azir Aliu. Pas shkëputjes, subjekti i Taravarit hyri në koalicion me BDI-në, duke formuar Aleancën Kombëtare për Integrim.

Zgjedhjet lokale, test për legjitimitetin politik
Zgjedhjet lokale të 19 tetorit përbënin provën më të rëndësishme politike të vitit 2025. Ato rikonfiguruan pushtetin lokal dhe shërbyen si matës i mbështetjes për partitë politike, vetëm një vit pas zgjedhjeve parlamentare. Te faktori politik shqiptar, lufta zhvillohej mes dy kampeve, atë të AKI-së dhe VLEN-it. Garat më të ndjekura ishin në Çair, ku u përballën Izet Mexhiti dhe Bujar Osmani, si dhe në Tetovë mes Bilall Kasamit dhe Bajram Rexhepit. Shpeshherë debati dhe akuzat në fushatën elektorale shkuan përtej problematikave lokale. Rezultatet ishin në favor të VLEN-it, ku fitoi në Çair dhe në Tetovë. Në nivel shtetëror, VMRO-DPMNE fitoi 54 komuna, VLEN 9, LSDM 6, AKI 4, ndërsa disa komuna shkuan në rivotim për shkak të mosarritjes së censusit.

BDI pas zgjedhjeve, reforma dhe kongresi i 20 dhjetorit
Pas zgjedhjeve lokale, BDI paralajmëroi proces reformash të brendshme. Kongresi i 20 dhjetorit u prezantua si pikënisje e këtij procesi, ku Ali Ahmeti u rizgjodh kryetar, ndërsa u rifreskua struktura drejtuese. Ahmeti deklaroi se partia ka ndryshuar mbi 80 për qind të strukturës së saj, duke synuar konsolidim dhe përgatitje për sfidat e vitit 2026. Në kongres u zgjodh kryesia e re qendrore dhe këshilli i përgjithshëm i partisë, ndërsa kjo parti miratoi disa rezoluta me të cilat kërkojnë që çdo qeveri të formohet me Badenter, ndërsa parimi i Badenterit të futet edhe në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, një pjesë e opinionit publik shprehën dyshime nëse reformat do të jenë substanciale apo vetëm kozmetike.

Procesi eurointegrues mbeti në rrugë qorre
Edhe gjatë vitit 2025, integrimi evropian mbeti një nga zhgënjimet kryesore. Mungesa e konsensusit për ndryshimet kushtetuese dhe kritikat për reforma të ngadalta në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit e mbajtën procesin të bllokuar. Raporti i Komisionit Evropian i nëntorit evidentoi mungesë përparimi dhe kërkoi rezultate konkrete në sundimin e ligjit.
Tragjedia në Koçan, zgjedhjet lokale dhe ngecja eurointegruese do të përcaktojnë edhe agjendën e vitit 2026, ku pritjet janë për përgjegjësi reale, reforma konkrete dhe rikthim të besimit qytetar. (Ersan Pajaziti, TVM2)
