Viti 2025 dhe integrimi evropian, pos teknike, asnjë lëvizje thelbësore
Vitin që lamë pas u shoqërua...

Vitin që lamë pas u shoqërua me politika të ndryshme vendore. Në rrafshin e jashtëm, konkretisht në fushën eurointegruese, hapja e grupkapitujve mbetet për t’u dëshiruar. Në dy samitet e rregullta të Bashkimit Evropian, vendi ynë nuk u gjet në tryezën e vendimeve pozitive të Brukselit.
Për shkak të mosimplementimit të ndryshimeve kushtetuese, që janë peng i mungesës së dy të tretave të votave në Kuvend, Shkupi zyrtar u shmang nga rruga e Tiranës dhe Podgoricës, dy vende që janë 3 apo 4 vjet para integrimit të plotë në familjen evropiane.
Momentalisht, Maqedonia e Veriut teknikisht vazhdon punën në udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe në planin e veprimit për mbrojtjen e pakicave.
Aspekti pozitiv që e karakterizon vendin është se në mars mori parafinancimin e parashikuar në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor prej 52.2 milionë euro, mjete evropiane që kushtëzohen nga Agjenda Reformuese, si mekanizëm që synon të sigurojë zbatimin e reformave të nevojshme që do të çonin në transformimin shoqëror duke përshpejtuar përafrimin e fushave prioritare me vlerat, politikat dhe praktikat e BE-së.
Një arritje tjetër në vitin 2025 ishte anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në SEPA, që iu mundëson kompanive dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të kryejnë transaksione bankare më të shpejta dhe më të lira me shtetet anëtare të BE-së.
Por, thelbi që e zhbllokon ngërçin eurointegrues qëndron në jetësimin e Konkluzave të Këshillit të korrikut 2022, të cilat vendi u zotua t'i nisë dhe t'i arrijë.
Edhe pse faktorët politikë u zotuan se pas zgjedhjeve lokale do të vënë në prioritet avancimin integrues evropian, një gjë të tillë nuk e dëshmoi praktika.
Kryeministri Mickoski megjithatë nuk u zhvendos nga këmbëngulja për garanci evropiane në këmbim të ndryshimeve kushtetuese, gjë të cilën nuk e siguroi asnjë institucion evropian.
Bartësit e procesit kanë premtuar angazhim shtesë pas Vitit të Ri, se do të intensifikojnë bisedimet me Sofjen nga janari, ndonëse njohësit e çështjes janë skeptik, për shkak të krizës politik në fqinjin lindor dhe fokusin e saj në problemet e brendshme. Në vitin 2026 të shpresohet se vendi do të dalë nga grupi i shteteve me probleme të madha bilaterale dhe do të kthehet në pako me Shqipërinë, ashtu siç ishte tendenca e Brukselit zyrtar. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
