Lufta Rusi – Ukrainë, a ka shënjestruar Ukraina rezidencën e Putinit?!
Zyrtarët rusë dhe ukrainas kanë shkëmbyer akuza...

Zyrtarët rusë dhe ukrainas kanë shkëmbyer akuza mbi pretendimin e Moskës se Ukraina u përpoq të sulmonte rezidencën e udhëheqësit rus në Rusinë veriperëndimore me 90 dronë me rreze të gjatë veprimi, pothuajse menjëherë pas bisedimeve të Trampit me Zelenskin të dielën.
Ambasadori i ShBA-së në NATO thotë se pretendimet janë të paqarta.
"Ukraina po merr dronë dhe raketa çdo natë në kryeqytetin e saj, dhe e tëra çfarë mund të bëjnë është të kundërsulmojnë. Duket paksa kundërproduktive të jesh kaq afër një marrëveshjeje paqeje, dhe Ukraina me të vërtetë dëshiron të bëjë paqe, dhe pastaj të bëjë diçka që do të shihej si e papërgjegjshme ose e padobishme. Pra, ne do të shkojmë deri në fund të inteligjencës dhe për mua, gjëja më e rëndësishme është ajo që komuniteti i inteligjencës amerikane dhe aleatët tanë kanë për të thënë nëse ky sulm ka ndodhur apo jo.", - deklaroi ambasadori i ShBA-së në NATO, Metju Whitaker.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës theksoi se Rusia ende nuk ka ofruar prova të besueshme për pretendimet. Një zëdhënës i Kremlinit tha se sulmi i supozuar ukrainas kishte për qëllim pengimin e përpjekjeve të presidentit Tramp për të promovuar një zgjidhje paqësore të luftës.
Nga ana tjetër, Rusia tha se kishte vendosur sistemin e saj më të fundit të raketave Oreshnik me kapacitet bërthamor në Bjellorusi. Mediat shtetërore ruse raportuan se raketa do të merrte vetëm 11 minuta për të arritur në një bazë ajrore në Poloni dhe 17 minuta për të arritur në selinë e NATO-s në Bruksel.
Presidenti ukrainas ka mohuar akuzat ruse se bisedimet me ShBA-në kanë dështuar. Zelenski ka hedhur poshtë raportet për sulme ndaj rezidencës së Putinit si të rreme. Ai tha se për sa kohë që Rusia vazhdon të gjejë justifikime, armëpushimi - dhe për këtë arsye referendumi - nuk mund të ndodhë në mënyrë të sigurt.
“Sulmet ndaj rezidencës së Putinit në Valdai janë të rreme. Askush nuk e goditi atë vend. A lidhet kjo me sanksionet? Ndoshta pak, por sipas mendimit tim, lidhet më shumë me faktin se pati një bisedë mjaft të suksesshme dhe një takim pozitiv midis ekipeve tona gjatë muajit, i cili kulmoi me takimin tonë me presidentin Tramp. Shoh vetëm rezultate pozitive nga këto takime. Ka përparim në përgatitjen e dokumenteve dhe Rusia, e cila nuk dëshiron rezultate pozitive për askënd në këtë format, po bën pretendime të tilla.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Lufta vazhdon në vijën e frontit. Autoritetet ruse thanë se Ukraina nisi një seri sulmesh ndaj Moskës, pjesëve të Rusisë perëndimore dhe gadishullit të Krimesë dje. (Fitim Kryeziu, TVM2)
