Botë

Fillojnë festimet e Vitit të Ri 2026, Atoli Kiritimati, vendi i parë që feston

31.12.2025 15:48

Atoli Kiritimati u bë vendi i parë në Tokë që priti zyrtarisht vitin 2026...

Atoli Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjeve, u bë vendi i parë në Tokë që priti zyrtarisht vitin 2026, pasi banorët e tij festuan ndryshimin e kohës disa orë para çdo vendi tjetër. Kiritimati është pjesë e kombit të Paqësorit të Kiribatit. Ndodhet në jug të Havait dhe në verilindje të Australisë.  Menjëherë pas tij, Zelanda e Re është shteti i dytë në botë që priti Vitin e Ri dhe shënoi ndërrimin e motmoteve me festime madhështore. Në qytetin Okland, kulla Sky Tauer u kthye në epiqendrën e spektaklit, me projeksione dhe një shfaqje fishekzjarrësh që ndriçoi qiellin e qytetit. 
 
Australia ishte vendi i tretë në botë që mirëpriti vitin 2026, me Sidnein në qendër të festimeve. Mijëra njerëz u mblodhën përgjatë portit për të ndjekur fishekzjarrët mbi Urën e Portit të Sidneit dhe Shtëpinë e Operës, ndërsa në mesnatë qielli u ndriçua nga rreth nëntë tonë fishekzjarre. Festimet patën edhe një moment solemn dhimbjeje, në orën 23:00 u mbajt një minutë heshtje në kujtim të viktimave të sulmit në Bondi Beach. Mbi 2.500 efektivë të armatosur qëndronin në gatishmëri për sigurinë e banorëve.
 
“Reflektime për vitin që lamë pas, ka shumë gjëra që po ndodhin nëpër botë. Ne vizituam Bondi Beach dhe gjithçka kthehet në normalitet, vetëm prani më e madhe e forcave policore.”, - u shpreh Cesar Rejes.
 
“Fishekzjarrët kanë qenë gjithmonë në listën time të dëshirave, ndaj jam shumë e lumtur që jam këtu. E di që ka një moment për të përkujtuar jetët e humbura në Bondi Beach. Po, mezi pres ta përjetoj të gjithë këtë eksperiencë dhe natën.”, - theksoi turistja, Susana Suisuikli.
 
“Po udhëtojmë nëpër Australi dhe dëgjuam që fishekzjarrët e Sidneit janë diçka që duhet parë patjetër.”, - u shpreh turisti, Marko Fenderzan.
 
Festimet vijuan më pas në Japoni. Qytetarët përfundojnë vitin duke ngrënë soba, makarona gruri të egër, një traditë për festë që simbolizon jetëgjatësi dhe lumturi. 
 
“Erdha të ha soba, një ushqim tradicional duke shpresuar të mbyll vitin pa probleme, siç rrëshqet makarona poshtë në lukth, të bien edhe problemet tona poshtë. Tani ndihem se mund ta përfundoj vitin në mënyrë të shkëlqyer.”, - tha një turist.
 
Njëkohësisht me Japoninë, Viti i Ri u festua në Korenë e Jugut dhe Kinë, më pas do të festohet në Evropë dhe në kontinentin amerikan. Në anën tjetër të globit, Ishulli Bajker dhe Ishulli Hauland, territore të pabanuara në ShBA, janë vendet e fundit që hynë në vitin 2026. Ndërsa ndër zonat e banuara, Samoa Amerikane dhe Niue do ta presin të fundit Vitin e Ri 2026.


FARIJE DAUTI BAKIU