Maqedoni

Festat e fundvitit, kreu shtetëror ua uron qytetarëve vitin 2026

31.12.2025 16:13

Kreu shtetëror ua ka uruar qytetarëve vitin e ri me urime për paqë, mirëqenie dhe harmoni....

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, uroi qytetarët e vendit një vit prosperues, të integruar në BE, pas një viti të shënjuar me aktivitete kundër krimit dhe korrupsionit, vendosjen e partneriteteve strategjike, por duke lënë trazuar nga tragjedia më e rëndë e Koçanit.
 
“Dua që ne të anëtarësohemi në BE, të vendosur të jetojmë në një ambient ku do të sundojë drejtësia, demokracia, prosperiteti ekonomik dhe një ambient i shëndetshëm jetësor. Gjithsecilit i uroj një vit të ri sikurse ju e dëshironi.”, - deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski e shikon 2026-ën si vit i lëvizjes dhe transformimit pas përmbylljes të një viti sfidues në më shumë fusha.
 
“Me të drejtë mund të them se viti 2026 do të jetë një vit lëvizjeje dhe një vit transformimi, një vit rritjeje, me zbatimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, një vit forcimi ekonomik, me investime të reja, mbështetje për ekonominë dhe hapjen e mundësive për punë dhe zhvillim, një vit i stabilitetit politik, në të cilin institucionet do të funksionojnë më qartë, në mënyrë efektive dhe me më shumë përgjegjësi.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Edhe Kuvendi gjatë 2025-ës ka qenë më i hapur për qytetarët. Kryeparlamentari Afrim Gashi nënvizoi të arriturat e Kuvendit. 
 
“Kuvendi ka shënuar avancime të dukshme në transparencë, digjitalizim dhe në forcimin e funksionit mbikëqyrës. Kemi hapur më shumë dyert për qytetarë, ide dhe dialog. E kemi bërë institucionin më inkluziv, më të qasshëm dhe më të besueshëm. Përmes diplomacisë parlamentare kemi ndërtuar ura bashkëpunimi dhe miqësie, duke e përfaqësuar vendin tonë me dinjitet dhe vizion.”, - u shpreh kryeparlamentari, Afrim Gashi.
 
Gashi uroi për mbarësi gjatë vitit që vjen, por theksoi se përparimi i qëndrueshëm nuk lind vetëm nga proceset dhe reformat, por nga uniteti, pjekuria për të ndërtuar konsensus dhe nga besimi i ndërsjellë.
 
MERAL ISMAILI