Ndërrimi i motmoteve, dhjetëra pacientë përfunduan në spital
Jo të gjithë qytetarët që dolën për të pritur...

Jo të gjithë qytetarët që dolën për të pritur ndërrimin e motmoteve në vend e kaluan me argëtim dhe pozitivitet. Gjithsej 31 pacientë të dehur përfunduan mbrëmë në Klinikën e Toksikologjisë dhe në Spitalin e Qytetit në Shkup, pasi e tepruan me konsumimin e alkoolit gjatë festimeve.
Edhe pse të dehur, për fat të mirë gjendja e tyre ka qenë relativisht e lehtë, pasi, ndryshe nga shumë vite të kaluara, këtë vit asnjë prej tyre nuk u ndalua për mjekim shtesë në spitale.
Karakteristike për këtë vit është se pacientja më e re e paraqitur në gjendje të dehur ka qenë një e mitur 14-vjeçare, e cila megjithatë ka qenë me vetëdije të plotë.
“Në Klinikën Toksikologjike, ky vit filloi vërtet në mënyrë argëtuese. Gjatë 12 orëve të fundit, 31 bashkëqytetarë tanë përfunduan në klinikën tonë. Pacientja më e re ishte 14 vjeçe, ndërsa pacientja më e vjetër ishte 44 vjeçe. Prej tyre, 13 kanë qenë të mitur. Sipas gjinisë, 21 nga pacientët e pranuar ishin meshkuj dhe 10 femra. Pothuajse të gjithë kishin konsumuar pak më shumë alkool sesa duhej dhe të gjithë janë lëshuar për në shtëpi” – tha DrejtorI i Toksikologjisë, Niko Beqarovski.
“Gjithsej 19 pacientë janë trajtuar në klinikën tonë, të cilët lidhen me festimet e Vitit të Ri. Vetëm njëri prej tyre ka lëndime më serioze në pjesën e poshtme të këmbës, respektivisht frakturë, dhe është ndaluar për ndërhyrje kirurgjikale. Të gjithë pacientët e tjerë janë trajtuar në ambulancën tonë, prej të cilëve 8 janë lënduar gjatë përleshjeve fizike, 6 nga mjetet piroteknike, 4 në aksidente rrugore, ndërsa 1 pacient është sjellë në gjendje të alkoolizuar.” – deklaroi Drejtori i Klinikës “Shën Naum i Ohrit”, Nebojsha Nastov.
Pak më e rëndë ka qenë situata për mjekët kujdestarë në Qendrën Urgjente në Shkup, ku gjatë mbrëmjes së kaluar në spital janë paraqitur edhe disa pacientë të lënduar në aksidente trafiku, nga rëniet nga lartësia, nga mjetet piroteknike, si dhe një fëmijë dyvjeçar i lënduar nga një plumb bredhës.
“Kemi intervenuar te disa pacientë të aksidentuar gjatë ndërrimit të motmoteve, ku dy prej tyre i kemi lëshuar në kurim shtëpiak me lëndime të lehta. Një paciente 17-vjeçare është sjellë me disa lëndime të lehta dhe për të, gjatë ditës së sotme, po zhvillohet një ndërhyrje kirurgjikale. Kemi pasur po ashtu edhe tre pacientë të politraumatizuar, respektivisht me disa goditje si pasojë e rënieve nga lartësia. Një pacient 30 vjeçar, nga shkaqe ende të panjohura, është raportuar se është gjetur i rrëzuar nga një lartësi dhe për momentin ndodhet në gjendje rreziku për jetën. Në Neurokirurgji është pranuar një pacient 16-vjeçar nga Shtipi, i cili kishte rënë nga një lartësi. Gjithashtu, në Urgjencë është pranuar një fëmijë dyvjeçar me një plagë në kokë, të shkaktuar nga arma e zjarrit, respektivisht nga plumbat bredhës.” – u shpreh Drejtori i Qendrës Urgjente-Shkup, Igor Merxhanovski.
Këtë vit ekipet mjekësore nuk kanë intervenuar për konsumin e drogës dhe të helmuar nga ushqimet. (Rexhep Qamili, TVM2)
