Kosovë, ndërroi jetë Akademik, Nexhat Daci

01.01.2026 14:02

Në moshën 81-vjeçare ka ndërruar herë ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci...

Ish-kryeparlamentari, Nexhat Daci, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare. Lajmin për vdekjen e Dacit e ka bërë kryetari në detyrë i Kuuvendit, Dimal Basha. 

“Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë. Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës. Trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë së Kuvendit dhe e përpjekjeve tona për shtetndërtim”, ka shkruar Basha.

Nexhat Daci ishte një ndër figurat më të njohura të jetës politike dhe akademike të Kosovës në periudhën pasluftës, me një rol të veçantë në fazat e para të ndërtimit institucional të vendit.

Ai u bë i njohur fillimisht si intelektual dhe akademik, profesor universitar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pozitë që e mbajti në vitet më të vështira për arsimin dhe shkencën në Kosovë gjatë viteve ’90.

Pas luftës së vitit 1999, Nexhat Daci hyri aktivisht në politikë si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë që kishte udhëhequr rezistencën paqësore nën Ibrahim Rugovën.

Në zgjedhjet e para parlamentare, ai u zgjodh deputet dhe më pas u bë Kryetar i Kuvendit të Kosovës (2002–2006), duke qenë një nga figurat kyçe në funksionimin e institucioneve të përkohshme të Kosovës nën administrimin e UNMIK-ut.