Gjatë ndërrimit të viteve, vrasje dhe plagosje në Shkup
Një shtetas turk u vra dhe një tjetër u lëndua rëndë...

Një shtetas turk u vra dhe një tjetër u lëndua rëndë gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve në Shkup. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se ngjarja tragjike ndodhi pas një përleshjeje më masive fizike mes një grupi më të madh qytetarësh, shtetas të huaj, ndërsa vrasja dhe plagosja u kryen me një thikë.
Organet hetuese dhe MPB-ja kanë identifikuar personin e dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati, dhe bashkërisht po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit, tha Toshkovski.
“Në ngjarjen konkrete penale, sipas informacioneve që kam marrë, kemi një person që ka humbur jetën dhe një person që është plagosur rëndë. Në këtë incident është përdorur një thikë e mprehtë, me të cilën është shkaktuar vrasja dhe plagosja. Kemi një person të dyshuar, por për shkak të hetimit nuk mund të ndaj më shumë detaje. Personi i dyshuar aktualisht ndodhet në arrati. Ajo që mund t’ju them është se bëhet fjalë për një numër më të madh pjesëmarrësish në kuadër të incidentit të mbrëmshëm dhe se të gjithë ata janë shtetas të huaj.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Pavarësisht ngjarjes tragjike, Toshkovski vlerëson se mbrëmja e ndërrimit të viteve në të gjithë vendin ka kaluar përgjithësisht në qetësi, ndërsa gjendja e sigurisë ka qenë stabile. Në terren kanë vepruar ekipe të përforcuara policore, të cilat kanë dhënë maksimumin për të ruajtur rendin dhe qetësinë, tha Toshkovski.
“Gjatë mbrëmjes së kaluar janë regjistruar 31 vepra penale, si dhe 23 aksidente trafiku, dy prej të cilave me lëndime të lehta. Gjithsej 49 persona janë shoqëruar në stacione policore për arsye të ndryshme, kryesisht për tregti ilegale me drogë dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike gjatë mbrëmjes. Këto shifra tregojnë qartë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë sjellë me përgjegjësi dhe, me veprimet e tyre, kanë kontribuar në rritjen e sigurisë kolektive në vend.”, - theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Toshkovski po ashtu tha se po punohet edhe për zbardhjen e rastit të lëndimit të fëmijës dyvjeçar nga një plumb bredhës. Të gjitha këto ai i tha pas vizitës së tij të stacionit policor Qendër “Beko” në Shkup, ku njëherësh prezantoi të dhëna të reja nga periudha testuese e sistemit “Qyteti i Sigurt”.
Ai tha se krahasuar me dhjetorin e vitit 2024 dhe dhjetorin e vitit 2025 numri i aksidenteve është ulur për 20 për qind, ndërsa numri i personave të lënduar në trafik është ulur për 37 për qind. (Rexhep Qamili, TVM2)
