Viti i Ri me fatura më të reja të rrymës, qytetarët: Të rriten pagat, jo çmimi i rrymës
Nga sot hyjnë në fuqi çmimet e reja të energjisë elektrike...

Nga sot hyjnë në fuqi çmimet e reja të energjisë elektrike që parashikojnë rritje të bllokut të parë me 2.45 për qind, 2.87 për qind në bllokun e dytë, me 3.32 për qind në të tretin dhe me 3.84 për qind në bllokun e katërt. Që të mos vihen në rrezik elektranat e Maqedonisë së veriut erdhi deri tek kjo rritje e çmimeve, ka thënë ditë më parë kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski. Por, qytetarët e anketuar thonë se kjo rritje e çmimit të energjisë do të krijojë rritje të çmimeve të produkteve tjera dhe transportit duke vënë në pah disbalancin e të hyrave dhe shpenzimeve të jetesës.
Vitin 2026 qytetarët e vendit do ta nisin me fatura më të larta të energjisë elektrike, si do të ndikojnë faturat e energjisë elektrike me çmimet e reja për xhepin e qytetarëve dhe a do të paraqesë kjo shkas për rritje të çmimeve të produkteve të tjera do t’i pyesim qytetarët në vazhdim.
“Në përgjithësi mendoj se kjo nuk është mirë. Duhet që standardet e shtetit të njihen, shpresoj që jo, por mendoj se kjo gjë do të shkojë në mënyrë lineare, pasi nëse shtrenjtohet rryma, do të shtrenjtohen edhe gjërat tjera, por do të duhet që edhe pagat të rriten.”, - tha një qytetar.
“Nuk di çfarë të them. Jemi dëshpëruar. Jo vetëm çmimi i rrymës, por edhe çmimi i ushqimit. Gjithçka është rritur. Shkojnë paralel. Ata që vjedhin dhe kanë para mund ta përballojnë, por ne me rroga është problem, rrogat nuk janë rritur. Kjo është e tepruar, nuk është normale.”, - tha një qytetar tjetër.
“Kam dëgjuar që do të shtrenjtohet rryma dhe nuk jam dakord, për shkak se populli këtu, siç e shihni, rrogat e dobëta, ndërsa çmimet rriten dhe standardi është i lartë. Si të rritet çmimi i rrymës do të rriten dhe çmimet e produkteve ushqimore, transporti dhe gjithçka. Mua çdo gjë më vjen çudi.”, - u shpreh një qytetar.
“Çfarë të mendoj, çdo gjë është barrë për qytetarët. Ne pensionistët më shumë e ndjejmë këtë gjë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Edhe tarifa e lirë do të rritet me 2.5 për qind, por me intervalin e njëjtë kohor nga ora 13:00 deri në orën 15:00. Sipas prononcimeve të Komisionit Rregullator për Energjetikë për faturat e janarit është paraparë ulje në tarifën për shpërndarje të elektrodistribuimit 3.64 %, tarifës së transmetimit nga MEPSO 2.67 % dhe tarifës së shërbimit nga MEMO 3.4 %. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
