“Zgjohet” Shkupi, pas festimeve, ditë e qetë në kryeqytet

01.01.2026 15:22

Shkupi është “zgjuar” i qetë pas festimeve...

Shkupi është “zgjuar” i qetë pas festimeve për natën e ndërrimit të viteve. Shkupi ka mirëpritur vitin 2026 me atmosferë festive, por edhe me disa ngjarje të pazakonta. Nata e ndërrimit të viteve ka shpërndarë energji dhe emocion mes qytetarëve të kryeqytetit, të cilët janë mbledhur në sheshe, rrugë dhe lokale për të shënuar këtë moment të rëndësishëm.

Për shumicën, ndërrimi i viteve ka qenë një mundësi për të festuar me miqtë dhe familjen, por nuk mungoi prania e tyre edhe në lokale dhe sheshin e kryeqendrës.

Atmosfera ka qenë e mbushur me muzikë, drita dhe gëzim, por, siç ndodh shpesh, disa qytetarë e kanë tepruar me konsumimin e alkoolit. Disa prej tyre kanë përfunduar në spitale, ku janë trajtuar për dehje të tepërt.

Sheshi “Maqedonia” ishte vendi ku banorët e Shkupit patën mundësinë të mblidhen për festën e Vitit të Ri nën performancat e interpretuesve vendas. Programi filloi në orën 19:45 me këngët e Mile Kuzmanovskit dhe vazhdoi me Ognen Zdravkovskin, Dina Jasharin, Kuku Lelen, Tamara Todevskën e Karolina Goçevën.

Ndërkohë munguan artistët shqiptarë për të performuar në natën e fundvitit në kryeqendër.

Por, për festën e fundvitit nuk mungoi bazari katërditor në Çair në Sheshin "Skënderbeu", ku u regjistrua një interesim i lartë nga qytetarët. Pavarësisht motit të ftohtë, sheshi u gjallërua me vizitorë të shumtë që shijuan dritat dekorative, stendat festive dhe programin muzikor.

Ndërrimi i viteve u zhvillua pa fishekzjarrë të organizuara nga qyteti i Shkupit, pas apeleve nga organizatat e shoqërisë civile për të mbrojtur qytetarët, veçanërisht fëmijët, nga zhurma dhe stresi i panevojshëm, si dhe nga ndotja e shkaktuar nga piroteknika. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)