Tetova feston Vitin e Ri, 11 të lënduar dhe një lindje gëzimi

01.01.2026 16:22

Kështu është festuar ndërrimi i viteve në qytetin e Tetovës...

Kështu është festuar ndërrimi i viteve në qytetin e Tetovës, me daulle, fishekzjarrë e me muzikë. Qytetarët e anketuar nga TVM2 janë të ndarë në mendime. Disa prej tyre thanë se nuk presin shumë ndryshime, por duan që viti 2026 të jetë vit i paqes e të ndalohen luftërat nëpër botë.

“Urime viti 2026! Nuk presim asgjë edhe këtë vit. Nuk besoj se do ketë ekonomi të mirë, ndoshta në Kosovë po, këtu jo. Nuk shihet se ka diçka mirë.”, - tha një qytetar.

“Presim mbarësi, lumturi, harmoni e dashuri. Besoj po, dhasht Zoti të ndalohen luftërat që janë.”, - tha një qytetar tjetër.

“Asgjë, nuk ma merr mendja se do të jetë më mirë.”, - u shpreh një qytetar.

Ndërsa në Urgjencën e Spitalit të Tetovës ndihmë kanë kërkuar  11 persona, prej tyre tre me lëndime të rënda nga mjetet piroteknike, të cilët janë transferuar në spitalin e Shkupit.

“Janë paraqitur 11 pacientë, që kanë kërkuar ndihmë tek ne, prej të cilëve 8 pacientë kanë qenë më djegie të lehta, kurse tre prej tyre kanë qenë me lëndime pak më të rënda, duke përfshirë këtu edhe amputim të gishtërinjve, të cilët janë dërguar më pas në Qendrën Klinike Universitare në Shkup për trajtim të mëtutjeshëm.”, - deklaroi shefi i Qendrës Urgjente Kirurgjikale – Tetovë, Shaqir Zulbehari.

E bukura e kësaj nate në Tetovë ka qenë ardhja në jetë e djalit Deon Shabanit nga Sellca e Tetovës, ndërsa kryeshefja e Gjinekologjisë, Merale Rexhepi, tha se në vitin 2025 në Spitalin e Tetovës ka pasur më shumë lindje se vitin e kaluar.

“Po, mbrëmë në orën 00:10 minuta kemi pasur lindjen e parë, është mashkull, është fëmija i dytë i familjes Shabani. Edhe nëna edhe djali janë shumë mirë. Për fat të mirë unë mund të them më plot përgjegjësi dhe me kënaqësi numri në spitalin tonë, në repartin tonë, është në rritje. Prej vitit të kaluar krahasuar vitin 2024-25, kemi 50 të porsalindur më tepër se vitin e kaluar.”, - theksoi kryeshefja e Gjinekologjisë, Merale Rexhepi.

Ndërkohë, Deonin e vogël e vizitoi sot edhe i pari i Tetovës, Bilall Kasami, i cili i dhuroi një çek prej katërdhjetë mijë denarëve.

“Viti 2025 ishte viti i mbarë dhe kishte rritje të natalitetit dhe uroj që edhe këtë vit të vazhdojë rritja e natalitetit. Duke pasur parasysh se këtë vit është djalë dhe urojë që ky vit të jetë i fortë për të gjithë ne, sepse duhet të ballafaqohemi me të gjitha sfidat që na presin. Urojmë që të gjithë tetovarët dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut të kenë një vit të mbarë.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Nga SPB-Tetovë thonë se në përgjithësi ndërrimi i viteve në Tetovë ka shkuar pa probleme. (Visar Sadiki, TVM2)