Zjarr tragjik në Zvicër, 40 të vdekur dhe 100 të plagosur
40 persona humbën jetën dhe rreth 100 u plagosën...

40 persona humbën jetën dhe rreth 100 u plagosën nga një zjarr që shpërtheu në një bar në Qendrën skijatore të Zvicrës, Crans-Montana, gjatë natës së Vitit të Ri. Autoritetet zvicerane njoftuan se shtetas të huaj mund të jenë gjithashtu midis viktimave. Komandanti i policisë, Frederik Gisler, tha se tragjedia mori dhjetëra jetë dhe shumë të tjerë u plagosën.
“Tymi u pa për herë të parë duke dalë nga një bar rreth orës 01:30 sipas kohës lokale, në të cilën pikë u thirrën shërbimet e emergjencës. Oficerët e parë të policisë mbërritën shpejt në vendngjarje, të ndjekur nga një grup i madh ekipesh shpëtimi.”, - deklaroi komandanti i Policisë, Frederik Gisler.
Presidenti i Këshillit të Shtetit, Matias Rejnard, tha se rreth 100 persona u plagosën, "shumica e të cilëve u plagosën rëndë" dhe ishin dërguar në spitale të ndryshme. Ai tha se kapacitetet spitalore janë aktualisht në limitin e tyre, me disa pacientë të dërguar në objekte jashtë kantonit, veçanërisht në spitalet universitare.
“Ishte një shok total, shihnim njerëz si reagojnë në një panik të madh, kishte ambulancë dhe polici, gjithçka ishte e siguruar, por akoma nuk e kemi idenë se çka mund të ishte shkaku për zjarrin. Për momentin jemi duke i ndjekur rekomandimet e policisë në këtë kanton dhe të brigadës së zjarrfikësve. Ne jemi këtu për t’ua lehtësuar punën, edhe pse është shumë e komplikuar, por dua të ndihmojmë.”, - theksoi nënkryetarja e Qendrës së Skijimit, Nikol Bonvin Klivaz.
Autoritetet zvicerane kërkuan kujdes nga publiku për të shmangur ngarkesën e mëtejshme të kapaciteteve spitalore pas shpërthimit të zjarrit në Crans-Montana.
Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë, ndërsa prokurorja e Përgjithshme theksoi se nuk ka dyshime për një sulm terrorist. Po ashtu, në Amsterdam, një kishë 154-vjeçare u dogj gjatë natës së Vitit të Ri dhe autoritetet po hetojnë shkakun e zjarrit. (Fitim Kryeziu, TVM2)
