Zjarri tragjik në Crans-Montana: Zvicra në zi, filloi identifikimi i trupave
Hetuesit në Zvicër nisën detyrën e vështirë të identifikimit të trupave...

Hetuesit në Zvicër nisën detyrën e vështirë të identifikimit të trupave të djegur në zjarrin që përfshiu një bar të mbushur me njerëz që la të vrarë afër 40 persona në një pritje për Vitin e Ri në resortin e skijimit në Crans-Montana.
Sipas zyrtarëve zviceranë, për shkak të djegies së rëndë që kanë pësuar shumica e viktimave që gjendeshin në bar, mund të duhen disa ditë që të identifikohen të gjithë viktimat e zjarrit.
Si pasojë e zjarrit janë lënduar më shumë se 100 të tjerë, shumë nga të cilët janë në gjendje të rëndë. Italia dhe Franca janë ndër vendet që kanë njoftuar se disa nga shtetasit e tyre rezultojnë të zhdukur, ndërsa ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, sot do ta vizitojë Crans-Montana.
Zyrtarët zviceranë kanë thënë se afër 40 persona janë vrarë, por Italia ka thënë se numri i viktimave është 47, bazuar në informacionet e marra nga autoritetet zvicerane. Ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Autoritetet thanë se duket se ngjarja ishte një aksident, e jo një sulm.
Rrëfimet e disa të mbijetuarve dhe videove të publikuara në rrjetet sociale kanë sugjeruar se tavani i bodrumit të lokalit mund të ketë marrë flakë kur qirinjtë me shkëndija iu afruan afër.
Për shkak të zjarrit, autoritetet në Zvicër kanë shpallur pesë ditë zie.
