Tragjedia në Zvicër, autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarrit fatal

02.01.2026 14:34

Një heshtje e rëndë në Alpet zvicerane...

Një heshtje e rëndë në Alpet zvicerane, në qendrën e skive Kran-Montana. Në vend të gjallërisë festive, po përjetohen ditë zie dhe pasigurie, ndërsa vazhdon kërkimi për viktimat e zjarrit shkatërrues në barin “Le Constellation”. Familjet përballen me pritjen e dhimbshme për identifikimin e më të afërmve të tyre.

“Numërojmë rreth 40 viktima dhe afërsisht 115 të plagosur, shumica prej tyre rëndë. Prioritet do të jetë identifikimi i të ndjerëve, në mënyrë që trupat e tyre t’u kthehen sa më shpejt familjeve.”, - deklaroi komisari i policisë, Frederik Gisler.

Franca, Italia dhe Australia kanë konfirmuar se mes të prekurve ka shtetas të tyre, ndërsa disa ende konsiderohen të zhdukur. Rreth 60 të plagosur tashmë janë transferuar në spitalet e rajonit fqinj.

“Një nga fëmijët ka djegie më të thella dhe më të gjera, dy të tjerët kanë djegie sipërfaqësore dhe më pak të përhapura. Disa janë në kujdes intensiv, të tjerë në repartin e djegieve.”, - theksoi drejtori i Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive në Spitalin “Niguarda” - Itali, dr. Franz Preis.

“Nuk jemi prindër të papërgjegjshëm që, siç dëgjova, i lënë fëmijët e tyre të shkojnë në bar. Ky është një qendër skijimi. Njerëz të të gjitha moshave argëtohen bashkë. Dua që fotografia e djalit tim të jetë kudo, në rast se ndodhet në ndonjë spital këtu ose jashtë vendit. Kanë kaluar 30 orë që nga zhdukja e djalit tim, 30 orë pa asnjë lajm për fëmijën tim.”, - u shpreh nëna e njërit prej viktimave të mundshme, Letizia Brodar.

Presidenti zviceran e përshkroi tragjedinë si një nga më të rëndat që vendi ka përjetuar ndonjëherë.

“Kjo është një tragjedi me përmasa të papara dhe të tmerrshme. Shumë jetë, kryesisht të rinj, janë humbur. Pas këtyre shifrave qëndrojnë njerëz, emra, familje, fate të ndërprera brutalisht ose të ndryshuara përgjithmonë. Në emër të Qeverisë, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave.”, - deklaroi presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin.

Dëshmitarët thonë se zjarri u përhap shumë shpejt pasi një fishekzjarr i lidhur në një shishe shampanje u ngrit pranë tavanit prej druri. Për shkak të turmës dhe daljeve të pamjaftueshme, disa nga të pranishmit u detyruan të hidhen nga dritaret. Prokurorët thonë se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë, por konfirmuan se po hetojnë edhe shkelje të sigurisë.

“Mbrëmë nuk fjeta asnjë sekondë, nuk munda. Sa herë mbyllja sytë, më ktheheshin pamjet e njerëzve që po reanimoheshin, të njerëzve që ishin plotësisht të djegur. Pashë njerëz duke vdekur… Si shtyheshin me njëri-tjetrin, binin nëpër shkallë, disa shkeleshin, nuk mundnin të dilnin dhe vdiqën brenda. Është shumë e vështirë të përballohet e gjitha kjo.”, - tha i mbijetuari, Nathan Huguenin.

“Teoria fillestare është se zjarri ka shkaktuar një shpërthim. Janë marrë në pyetje disa dëshmitarë dhe janë gjetur edhe telefona për analizë. Sa i përket shkallëve të ngushta, i kam vërejtur në vendngjarje. Është hapur një hetim për të sqaruar rrethanat. Ai do të përcaktojë nëse janë përmbushur të gjitha standardet e sigurisë.”, - theksoi prokurorja shtetërore e Kantonit, Valais Beatrice Piloud.

Bota është solidarizuar me tragjedinë. Përveç mesazheve të ngushëllimit, shtetet ofrojnë edhe ndihmë për përballimin e ngjarjes tragjike. Nga Brukseli njoftuan se po bashkëpunojnë me autoritetet zvicerane për të siguruar ndihmë mjekësore për viktimat përmes mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian. (Armend Murseli, TVM2)