Prokuroria Themelore Publike, keqpërdorime në prokurimin publik në TEC Manastir

02.01.2026 14:50

Prokuroria Themelore Publike në Manastir...

Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave fizikë dhe një personi juridik për keqpërdorime të rënda në procedurat e prokurimit publik në TEC Manastir.

Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2023, pesë nga të akuzuarit, në cilësinë e drejtorëve dhe udhëheqësve të njësive në TEC Manastir, përfshirë edhe drejtorin e kombinatit, kanë kryer vepër të vazhduar penale, keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.

Ata nuk kanë vepruar në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme, duke shkelur parimet e ekonomisë, efikasitetit, proporcionalitetit dhe konkurrencës, të përcaktuara me Ligjin për Prokurime Publike.

"Me qëllim përfitimin e kundërligjshëm për palë të treta, të akuzuarit kanë shpallur dhe realizuar një procedurë të prokurimit publik për dislokimin e stacioneve operative nga miniera “Oslomej” në minierat e TEC Manastir, edhe pse kanë qenë në dijeni se një sistem i tillë transporti ishte në kundërshtim me projektin bazë dhe i papërshtatshëm për procesin teknologjik të nxjerrjes së mbulesës, qymyrit dhe mbetjeve ndërmjetëse, si dhe për transportin e qymyrit.".

Po ashtu, ata kanë ndikuar që Bordi Drejtues të ndryshojë Planin Vjetor, ndërsa kushtet minimale të tenderit janë rritur artificialisht, duke favorizuar vetëm një kompani. Kjo i ka mundësuar asaj të paraqitet si ofertues i vetëm dhe të fitojë tenderin me vlerë rreth 90 milionë denarë pa TVSh, përkatësisht mbi 106 milionë denarë me TVSh.

"Pronari i kompanisë, dy të punësuar dhe vetë personi juridik akuzohen për keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik, pasi kanë paraqitur dokumentacion të rremë, duke deklaruar se punimet për montimin e stacioneve operative janë përfunduar, edhe pse pajisjet mekanike dhe elektrike kanë mbetur të pashfrytëzuara në ambientet e TEC Manastir. Në bazë të këtyre dokumenteve të pavërteta janë realizuar pagesa, me ç’rast kompania ka përfituar pasuri të kundërligjshme në përmasa të mëdha."

Tre nga drejtorët dhe udhëheqësit e akuzuar në TEC Manastir, gjatë vitit 2024, kanë nënshkruar procesverbale dhe raporte për punë të supozuara të kryera, ndonëse kanë ditur se ato janë të pavërteta, duke shkaktuar pagesa të paligjshme dhe duke kryer veprën penale të vazhduar mashtrim në shërbim.

Me aktakuzën, prokurori publik ka propozuar konfiskimin e rreth 1.7 milionë eurove me TVSh, të paguara kompanisë si rezultat i veprave penale. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)