Maqedoni

Zjarri fatal në Zvicër, në kërkim edhe një shtetas nga Maqedonia

02.01.2026 15:38

Shtetasi i Maqedonisë, Stiven Ivanovski, ka qenë në Kran-Montana për festimin e Vitit të Ri...

Shtetasi i Maqedonisë, Stiven Ivanovski, ka qenë në Kran-Montana për festimin e Vitit të Ri dhe që nga ajo natë rezulton i zhdukur. Familja e tij, e cila jeton në Zvicër prej më shumë se 20 vitesh, nuk e ka gjetur në spitalet atje, ndaj po bëhen verifikime edhe në spitalet në Itali dhe Francë.
 
Familja po kërkon informacion edhe përmes rrjeteve sociale.
Rastin po e ndjek Ambasada e Maqedonisë në Bern, e cila deri më tani nuk ka asnjë informacion nga autoritetet zvicerane për ndonjë shtetas maqedonas të vdekur apo të plagosur në zjarr.
 
“Informacionet e fundit të cilat i kam marr nga institucionet kompetente janë se ka një shtetas maqedonas dhe se jemi në kontakt me autoritetet atje dhe presim më tepër detaje.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Maria Miteva. 
 
Ambasada e Maqedonisë është në gjendje gatishmërie dhe po i ndjek me kujdes zhvillimet në Kran-Montana. Është publikuar një numër telefoni në të cilin shtetasit e Maqedonisë mund të drejtohen për ndihmë.
 
Nga kontaktet e kryeministrit dhe shefit të diplomacisë me ambasadorin e Zvicrës është ofruar ndihmë, nëse është e nevojshme, ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë po shqyrtohen mundësitë dhe kapacitetet e disponueshme për kujdesin eventual mjekësor të të plagosurve nga Kran-Montana, pasi Zvicra aktivizoi mekanizmin evropian për reagim ndaj emergjencave.
 
ARMEND MURSELI