Maqedoni

Ndihma për familjarët e tragjedisë “Puls”, Mickoski zgjedh të mos përgjigjet publikisht

02.01.2026 16:26

Kryeministri Hristijan Mickoski zgjedh të mos përgjigjet se deri ku ka mbërritur...

Kryeministri Hristijan Mickoski zgjedh të mos përgjigjet se deri ku ka mbërritur procedura për ndihmesë financiare të njëhershme për familjarët e viktimave në diskotekën “Puls” në Koçan.
 
Kryeministri thotë se temën e shtjellon vetëm në takimet me familjarët e jo publikisht, për t’i ikur keqpërdorimeve, të cilat i pretendon opozita për pikë politike.
 
“Shoh se struktura të caktuara politike dhe të afërta me disa brejtës politikë, po përpiqen që të keqpërdorin këtë temë dhe të fitojnë pikë politike me vuajtjen e familjeve. Ashtu që, gjithçka që kam për të thënë, unë e them në ato takime me familjarët dhe me shoqatën. Kështu do të vazhdoj. U paraqita në komisionin anketues edhe pse e dini se kishte shumë spekulime në opinion për një nga ato takimet që unë e kam pasur me prindërit. Mund të them se një pjesë e gjërave që thuhen në opinion nuk janë të vërteta.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Shoqata “16 Marsi” përpos ndihmës financiare të njëhershme kërkon nga shteti mbulimin e shpenzimeve për rehabilitimin e të lënduarve, ndihmë sociale për familjet që kanë humbur burimin e të ardhurave, lehtësime administrative dhe prioritet në procedura shtetërore.
 
Edhe LSDM ka kërkuar mbështetje financiare për viktimat, si dhe transparencë nga institucionet dhe informim të rregullt publik.
 
MERAL ISMAILI