Maqedoni
Durmishi: Qeveria jep mbështetje për vende të reja pune
02.01.2026 16:58
Masat operative për punësim nga Qeveria parashikojnë formalizimin e të punësuarve...

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut kanë figuruar afër 694 mijë të punësuar, nga të cilët rreth 85 mijë punëtorë kanë qenë të angazhuar në mënyrë joformale.
Me ligjet e reja për punësim nga masa operative parashikohet procedura më të lehta punësimi dhe mbrojtjen e të drejtave të kategorisë studentë, nxënës, pensionistë dhe atyre që figurojnë si të papunë dhe që marrin ndihmën sociale.
“Ligji mundëson angazhimin me punë të të punësuarve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve pa humbur me këtë rast të drejtat e tyre që deri më tani i kanë pasur. Përfituesit e ndihmës së garantuar minimale nuk humbasin të drejtat e tyre sociale dhe të fëmijës, të papunët nuk fshihen nga evidenca e të papunëve dhe nuk humbasin kompensimin e tyre në para, pensionistët nuk humbasin të drejtën e tyre për pension, ndërsa studentët dhe nxënësit i ruajnë të drejtat e tyre nga sistemi arsimor.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Nga një janari i këtij viti parashikohen dhe ndryshimet ligjore për përkrahje financiare për kompanitë që investojnë dhe hapin vende të reja të punës.
“Mbështetja ka për qëllim që punësimet e reja me paga më të larta ku kompanitë mund të marrin deri në 20 për qind të pagës së paguar neto, respektivisht deri në 4.400 euro në vit për person, si dhe mbështetje të konsiderueshme për hulumtim dhe zhvillim deri në 50 për qind të shpenzimeve të justifikuara dhe shuma maksimale prej 1 milion euro.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Me ndryshimet ligjore pritet që 17.400 persona të formalizojnë punën e tyre, nga të cilët 12.000 punëtorë sezonal në bujqësi dhe rreth 5.400 persona të palajmëruar në sektorin e turizmit.
GAZMEND REXHEPI
