Maqedoni

Vdiq fëmija dyvjeçar, lëndime fatale nga një fragment metalik

02.01.2026 17:30

Mëngjesin e sotëm në Qendrën Klinike në Shkup ka ndërruar jetë fëmija dyvjeçar...

Mëngjesin e sotëm në Qendrën Klinike në Shkup ka ndërruar jetë fëmija dyvjeçar, i cili u plagos gjatë natës së Vitit të Ri, si pasojë e lëndimeve të rënda të trurit të shkaktuara nga një trup i huaj metalik, teksa po vëzhgonte fishekzjarrët.
 
Nëna e fëmijës dyvjeçar, i tha policisë se para mesnate doli para oborrit të shtëpisë me fëmijën për të parë fishekzjarrët, pas çka dëgjoi një zhurmë dhe pa gjak në kokën e fëmijës. Fëmija ishte pranuar në Qendrën e Urgjencës dhe, për shkak të gjendjes së rëndë, ishte shtruar në Klinikën e Neurokirurgjisë, në repartin e kujdesit intensiv. 
 
“Fëmija ishte intubuar, ishte vendosur në ventilim mekanik, i ishte dhënë terapi antibiotike dhe anti-edematoze, si dhe ishte nën monitorim 24-orësh. Intensiteti i dëmtimit të indit të trurit nuk lejoi trajtim kirurgjik. Pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor, përfundimi ishte tragjik, si pasojë e lëndimeve shumë të rënda të trurit të shkaktuara nga një trup i huaj metalik. Edhe një herë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që festat e Vitit të Ri të shënohen në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, pa përdorimin e mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, e sidomos pa përdorimin e armëve të zjarrit. Pasojat e një sjelljeje të tillë të papërgjegjshme janë serioze dhe, fatkeqësisht, mund të jenë edhe fatale.”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
 
Rasti është paraqitur edhe në polici, ku tashmë po punojnë në zbardhjen e rastit.
 
“Punonjësit e policisë dolën në vendngjarje dhe kryen një bisedë zyrtare me nënën G.D. (21), e cila shpjegoi se më 31.12.2025, para mesnate, doli para oborrit të shtëpisë në zonën e Gazi Babës me fëmijën dhe, ndërsa po shihte fishekzjarrët, dëgjoi një zhurmë dhe pastaj vuri re gjak në kokën e fëmijës. Në stacionin e policisë u krye gjithashtu një bisedë zyrtare me babain e fëmijës, M.A. (26).”, - theksoi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andeevski. 
 
Pas urdhrit të prokurorit publik, trupi i fëmijës u dërgua për autopsi dhe po priten rezultatet e gjetjeve të obduksionit, të cilat duhet të tregojnë shkaqet e vdekjes së fëmijës dyvjeçar.
 
BELINDA KOKA ADEMI