“Eco Guerilla” për “Jugohromin”: Qeveria të zbatojë kushtetutën dhe ligjet
Lëvizja qytetare “Eco guerilla” i është drejtuar me një letër të hapur qeverisë në lidhje me fabrikën “Jugohrom”...

“ Kaloi një muaj nga përfundimi i afatit të tretë me radhë për këtë ndotës kancerogjen që të fillojë me procesin e vendosjes së filtrave dhe qeveria vazhdon të heshtë. Në bazë te konfirmimit nga ana e Ministrisë së Ekologjisë, “Jugohromi” nuk ka realizuar planin aksional të paraparë sipas afatit gjashtëmujor. Me këtë, ky ndotës vazhdon helmimin dhe shkatërrimin e shëndetit të mbi 300 mijë banorëve të Tetovës me rrethinë”- thuhet në letër.
Lëvizja “Eco Guerilla” kërkon nga Qeveria e RM-së që në afat sa më të shkurtë të sjellë vendimin në lidhje me këtë çështje shumë shqetësuese për qytetarët e Tetovës dhe rrethinës.
“Tolerimi i ndotësve në moszbatimin e afateve shtese, që deri më tash janë zgjatur 3 herë radhazi, është krim për të cilin do të kërkojmë edhe përgjegjësi juridike nga funksionarët kompetent. Këtë herë kërkojmë nga qeveria që në mënyrë të prerë të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës se Maqedonisë dhe të njëjtat të vlejnë ashtu si që ishin për “Makstilin” në Shkup, ashtu të vlejnë edhe për Tetovën”- thuhet në letër.
“Eco Guerilla”, mbi një vit ka senzibilizuar opinionin dhe institucionet përgjegjëse për këtë problem. Çdo vendim eventual kundërligjor dhe antikushtetues nga ana e qeverisë do të shkaktojë presion qytetar edhe më të ashpër”- thonë nga “Eco Guerilla”. (Meral Ismaili, TVM2)
