Maqedoni

Protestë paqësore kundër dënimit prej 11 vitesh për Faton Lurin

02.01.2026 17:14

Qindra qytetarë të organizuar nga familja e të burgosurit Faton Luri...

Qindra qytetarë të organizuar nga familja e të burgosurit Faton Luri kanë protestuar në mënyrë paqësore, duke shprehur revoltën e tyre për dënimin të cilën ka shqiptuar Gjykata Penale në Shkup.
 
Protestuesit kanë vlerësuar se dënimi me 11 vite burg është jashtëzakonisht i lartë, sepse kjo ngjarje ka ndodhur pa dashje dhe nuk është e vërtetë se Fatoni pas aksidentit ka ikur nga vendi i ngjarjes. 
 
Qindra qytetarë janë para Gjykatës Penale në Shkup, për të treguar revoltën e tyre në drejtim të kësaj gjykate për shqiptimin e dënimit prej 11 viteve burgim për Faton Lurin. Sipas familjarëve është një drejtësi dhe një dënim i padrejtë në drejtim të Faton Lurit.
 
“Nuk besoj që ka ndodhur deri më tani në vendin tonë, por as në botë nuk ndodhin dënime kaq të rënda. Unë e shfrytëzoj rastin t’ju shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit. Kemi tentuar në disa mënyra për të kontaktuar me to, por nuk na kanë pranuar. Apeloj deri tek prokurorja dhe gjykatësi, që këto gjykime të mos mbahen me mllef ose me dëshirën e dikujt tjetër, por të gjykohen në bazë të asaj që e meritojnë.”, - theksoi prindi i Faton Lurit.
 
Edhe shoku i Fatonit, që ka qenë së bashku me Fatonin në motoçikletën, ka pohuar se nuk është e vërtetë se Fatoni pas aksidentit është larguar.
 
“Ne s’kemi pasur dëshirë ta bëjmë këtë aksident, por ndodhi. Kemi qenë me 25 ose 30 kilometra në orë. Dhe pasi jemi rrëzuar, është ofruar dhe i ka dhënë ndihmë personit, pastaj erdhi policia. Në ato momente policia i tha Fatoni që ta lëshojë nga dora personin dhe pas disa ditëve ka shkuar vet në polici dhe është dorëzuar.”, - u shpreh shoku i Faton Lurit, Hamza Ibrahimi.
 
“Jemi mbledhur këtu sot për ta shprehur revoltën tonë që i është bërë shokut tonë Faton Lurit. Është dënuar me një dënim shumë të lartë dhe nuk jemi të kënaqur. Prandaj, ne e kemi një pyetje deri tek shteti se deri kur do të vazhdojë kjo padrejtësi, ku shqiptarët dënohen në gjendje mizore, ndërsa pala maqedonase, me video-kamera, me fakte dhe me vrasje me paramendim, falen.”, - u shpreh shoku i Faton Lurit, Fatmir Jashari. 
 
Gjykata Themelore Penale – Shkup dënoi pak ditë më parë Faton Lurin me 11 vjet burg, pasi u shpall fajtor për aksidentin tragjik, në të cilin ai me motoçikletë përplasi 68-vjeçarin Jugosllav Nikollovski, në një shteg për këmbësorë në Shkup. Në fund, protestuesit u shpërndanë të qetë dhe pa probleme. 
 
FITIM KRYEZIU