DAP: 4.4 miliardë euro të ardhura në vitin 2025

03.01.2026 13:08

Drejtoria e të Ardhurave Publike informon...

Drejtoria e të Ardhurave Publike informon opinionin se në vitin 2025, buxheti i vendit mblodhi 4 miliardë e 426 milionë euro nga taksat dhe kontributet shoqërore, që është 308.3 milionë euro më shumë se në vitin 2024.

Sipas kësaj Drejtorie, nga shuma totale, të ardhurat tatimore arritën në 2 miliardë e 334 milionë euro, me një rritje prej 7.5%, ose 163.2 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Rritja ishte e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, me një ritëm më të theksuar në gjysmën e dytë të vitit 2025, kur u realizuan rreth katër të pestat e rritjes vjetore.

“Të ardhurat nga TVSH-ja bazohen në një rritje të qëndrueshme të arkëtimit të tatimit të paguar për qarkullimin brenda vendit, ku në disa muaj është shënuar rritje nga 10 deri në 13 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Te tatimi mbi fitimin, rritja vjen si rezultat i pagesës paraprake për vitin 2025 mbi një bazë më të lartë tatimore, si dhe nga rritja e arkëtimit të tatimit të mbajtur në burim nga dividentët dhe të ardhurat e tjera të paguara për themelues dhe partnerë të huaj të kompanive, ku është regjistruar rritje mbi 30%”. – thuhet në Komunikatën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Më tej në komunikatën e kësaj Drejtorie thuhet se në segmentin e tatimit mbi të ardhurat personale, pjesëmarrjen më të madhe e ka tatimi mbi pagat, i cili shënon rritje të qëndrueshme mujore dhe rritje totale mbi 10%, ndërsa rritje e lartë është realizuar edhe te tatimi mbi të ardhurat nga shërbimet kontraktuale, bujqësia dhe veprimtaria e pavarur.

Sa i përket kontributeve sociale, janë mbledhur 2 miliardë e 92 milionë euro, që është 145,2 milionë euro më shumë se në vitin 2024, përkatësisht një rritje prej 7,5%.

Këto rezultate sipas DAP janë rezultat i forcimit të arkëtimit në kohë të detyrimeve me përgjegjësi të përbashkët të tatimpaguesve, ndërhyrjes së hershme dhe zbatimit të qëndrueshëm të masave ligjore. Në vitin 2026, Drejtoria e të Ardhurave Publike do të vazhdojë aktivitetet për mbledhje efikase, të drejtë dhe transparente të të ardhurave publike. (Fitim Kryeziu, TVM2)