LSDM paralajmëron vit të vështirë
Partia opozitare maqedonase LSDM...

Partia opozitare maqedonase LSDM paralajmëron se viti 2026 do të jetë shumë i vështirë për qytetarët, duke akuzuar partinë në pushtet VMRO-DPMNE se e ka futur vendin në krizë financiare, me mungesë fondesh në buxhet, mosrritje të pagave, si dhe rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe të energjisë elektrike.
“Në buxhet nuk ka para për rritjen e pagave të punëtorëve, nuk ka para për pagë minimale prej 600 eurosh dhe nuk ka para për uljen e çmimeve të larta. Tashmë mungojnë 1 miliard euro. Çdo gjë është shtrenjtuar dhe shtrenjtimi i energjisë elektrike do të sjellë rritje edhe të çmimeve të tjera. Meqë po afrohen zgjedhjet dhe çështja e migrantëve këtë vit, Qeveria deri në zgjedhje do të përpiqet, përmes manipulimeve dhe ‘hedhjes pluhur në sy’, t’i mashtrojë qytetarët. Prandaj viti 2026 do të jetë i vështirë. Pas zgjedhjeve gjithçka do të dalë në shesh. Atëherë problemet do të ‘zgjidhen’ me një problem edhe më të madh – migrantët.” – thonë nga LSDM.
VMRO-DPMNE: 2026 do të sjellë rritje ekonomike
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar partia në pushtet VMRO-DPMNE, e cila i cilëson pretendimet e LSDM-së si të vjetra dhe të pabazuara, duke theksuar se në vitin 2026 po shlyhen borxhet dhe kreditë e krijuara nga qeverisjet e mëparshme.
“E nderuar LSDM, urime festat e Vitit të Ri dhe të Krishtlindjeve. Edhe pse shpresonim që këtë vit ta ndryshonit narrativën, ju përsëri po ecni në gjurmët e vjetra. Ende flisni për migrantë që nuk ekzistojnë, për borxhe që nuk ekzistojnë dhe për vrima në Buxhet që nuk ekzistojnë. Ne nuk e udhëheqim shtetin ashtu siç e udhëhiqnit ju. Nëse ju donit të sillnit migrantë në vitin 2018, ne nuk do ta bëjmë këtë. Nëse ju e ngarkuat popullin dhe brezat e ardhshëm me borxhe, ne nuk do ta bëjmë. Nëse ju e latë Buxhetin bosh dhe me mungesa, ne nuk do ta bëjmë. Viti 2026 do të jetë vit i kthimit të borxheve dhe kredive tuaja.” – shprehen nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE shtojnë se viti 2026 do të jetë gjithashtu vit i rritjes ekonomike, rritjes së pagave dhe pensioneve, përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve, si dhe i hapjes së vendeve të reja të punës, investimeve dhe fabrikave të reja. (Armend Murseli, TVM2)
