“Lista e zezë ruse”- Reagon BE

Ndalesë arbitrare dhe e pajustifikueshme

01.06.2015 11:33

Bashkimi Evropian është përgjigjur me zemërim ndaj ndalesës së udhëtimit që u ka vënë Rusia 89 politikanëve evropianë, përfshirë liderë ushtarakë...

Bashkimi Evropian e ka cilësuar ndalesën si “arbitrare dhe të pajustifikueshme” dhe ka thënë se nuk i janë dhënë shpjegime në lidhje me të. Shumica e të përfshirëve në listë janë kritikë të zëshëm të Kremlinit dhe disa prej tyre janë kthyer prapa nga Rusia, muajve të fundit. Bashkimi Evropian ka thënë se ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme listën e të sanksionuarve, por deri më tani nuk i është dhënë asgjë. Lista, as tani, nuk është publikuar zyrtarisht, por një version i saj ka rrjedhur on-line në gjuhën gjermane.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse nuk ka konfirmuar emrat e të ndaluarve, por ka thënë se lista është rezultat i sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë. BE ka ndërmarrë sanksionet pasi Rusia ka aneksuar Krimenë e Ukrainës në muajin mars të vitit 2014.

Sanksionet janë zgjeruar me mbështetjen e Kremlinit për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.