Tragjedia në Crans-Montana, hetime për zjarrin në barin “Le Constellation”

03.01.2026 16:25

Hetimi për tragjedinë në vendpushimin zviceran të Crans-Montanës....

Hetimi për tragjedinë në vendpushimin zviceran të Crans-Montanës po intensifikohet. Pas zjarrit dhe shpërthimit në barin “Le Constellation”, ku humbën jetën 40 persona, prokurorët po hetojnë çështjen për vrasje të paqëllimshme.

Tre menaxherë janë marrë në pyetje dhe ka dyshime serioze se bari ishte i mbipopulluar dhe se daljet e evakuimit ishin të bllokuara. Pesëmbëdhjetë nga të plagosurit janë në gjendje kritike, ndërsa qeveria zvicerane njoftoi një rishikim urgjent të sigurisë në të gjitha klubet e natës alpine.

“Lidhur me 119 personat e plagosur, dhe bazuar në elementët që kemi mbledhur, 113 janë identifikuar zyrtarisht. Nga këta, 71 janë shtetas zviceranë, 14 francezë, 11 italianë, katër serbë, një boshnjak, një belg, një luksemburgas, një polak dhe një portugez. Identifikimi i 40 viktimave është gjithashtu në proces, mbetet përparësia jonë.” – tha Frederic Gisler, Komisioner i Policisë për Kantonin e Valais.

“Gjithçka tregon se zjarri filloi me spërkatësit e vendosur në shishet e shampanjës të afruara në tavan. Prej andej, shpërtheu një zjarr i shpejtë dhe i përhapur, i cili çoi në këto rezultate. Në bisedat që u zhvilluan me dy menaxherët francezë dhe disa të mbijetuar, ne arritëm të bënim lista të personave që ishin të pranishëm në ngjarje që do të na ndihmojnë me identifikimin. Hetimi në vazhdim do të përqendrohet në materialet e përdorura në bar, lejet e funksionimit, masat e sigurisë, daljet e evakuimit, kapacitetin për mysafirët, etj. Do të ketë një mundësi për të shqyrtuar nëse ka përgjegjësi penale për individët.” – deklaroi Béatrice Pilou, Prokurore Publike e Kantonit të Valais.

Zvicra ka shpallur pesë ditë zie. Shkencëtarët mjeko-ligjorë, për shkak të shkatërrimit të plotë të ndërtesës, kanë filluar identifikimin e ADN-së të viktimave, përfshirë qytetarë të disa vendeve evropiane. Hetuesit po kontrollojnë gjithashtu mundësinë që piroteknikat e paligjshme të kenë shkaktuar zjarrin. (Fitim Kryeziu, TVM2)