Gara për Gostivarin, Limani: 30 mijë denarë për gjyshërit
Kandidati për kryetarë të Gostivarit nga rradhët e Aleancës Kombëtare për Integrim, Valbon Limani...

Kandidati për kryetarë të Gostivarit nga rradhët e Aleancës Kombëtare për Integrim, Valbon Limani, duke shpalosur pjesë nga programi i tij, premton se nëse merr mandatin për ta udhëhequr komunën në katër vitet e ardhëshme, si shenjë mirënjohje, respekti dhe mbështetje konkrete, do të ndajë nga 30 mijë denarë në vit për gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat, derisa prindërit janë në punë.
“Sot shumë prindër janë të dy në punë, dhe barrën më të madhe të kujdesit për fëmijët e vegjël e mbajnë pikërisht gjyshërit, me dashuri, përkushtim dhe sakrificë të heshtur. Faleminderit gjyshërve tanë. Ky projekt është dedikuar për gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre, ndërkohë që prindërit janë të dy në punë. Ata do të përfitojnë një shumë simbolike prej 30 mijë denarësh në vit nga komuna e Gostivarit.” – deklaroi Kanddiati i AKI-së për kryetarë të Gostivarit, Valbon Limani.
Kjo masë prek drejtpërdrejt familjen, solidaritetin dhe rolin e pazëvendësueshëm të gjyshërve tanë, thotë Limani, i cili shton se kjo është një nga masat më të dashura për të. (Merita Gashi, TVM2)
