Zgjedhje të parakohshme!?, Mickoski: Nuk jemi frikacak, do të dalim në zgjedhje

04.01.2026 14:42

Nëse partitë tjera dëshirojnë të shkojmë në zgjedhje...

Nëse partitë tjera dëshirojnë të shkojmë në zgjedhje do të shkojmë, kështu u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski pas deklaratave dhe komunikatave të shumta të partisë opozitare maqedonase LSDM e cila ka paralajmëruar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Tani kur kemi parti politike të cilat duan të maten në zgjedhje ne nuk do të qëndrojmë frikacak, do të dalim në ato zgjedhje dhe përsëri do të fitojmë”. – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Nga LSDM thonë se këtë e paralajmëruan gati një muaj më parë se Mickoski fillimisht do të shkon në zgjedhje pastaj do të hap rrugën migrantëve. Sipas tyre Mickoski këtë vetëm sa e konfirmoi.

“Gjithçka që LSDM ka paralajmëruar deri tani po ndodh para syve të qytetarëve. Mediat britanike kanë shkruar për dërgimin e migrantëve në Maqedoni, dhe tashmë shohim se ata po mbërrijnë në rajon, si në Kosovë dhe Shqipëri. Qytetarët e Maqedonisë kanë qenë dëshmitarë të përleshjeve mes migrantëve në sheshin e Shkupit. Skenari tani është i qartë: migrantë në këmbim të parave, por fillimisht zgjedhje. Mickoski dhe rrethi i tij po nxitojnë për disa arsye: zbulimet e AKT për krim dhe korrupsion me tenderë, mungesa e parave në buxhet, si dhe zhvillimet në rajon, ku aleatët e tij më të afërt, si Orbán dhe Vuçiç, po përballen me probleme serioze në vendet e tyre, gjithashtu të lidhura me krim dhe korrupsion.” – thanë nga LSDM.

Nga LSDM thonë se do vazhdojnë luftën për drejtësi dhe se do përgatiten ta kthejë pushtetin në duart e qytetarëve. Sipas LSDM-së këto nuk do të jenë thjesht zgjedhje për një mandat të ri qeveritar, por një referendum për të ardhmen e vendit.

Edhe BDI vazhdimisht ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. (Armend Murseli, TVM2)