Maduro në paraburgim në Nju Jork, Trump: Ne do ta qeverisim Venezuelën
Pas arrestimit, presidenti venezuelian Nikolas Maduro...

Pas arrestimit, presidenti venezuelian Nikolas Maduro, ndodhet në paraburgim në Bruklin. Ai do të përballet me akuza për drogë dhe armë, ndërsa SHBA do të administrojnë përkohësisht Venezuelën deri në një tranzicion të drejtë të pushtetit.
Trump njoftoi edhe aktivizimin urgjent të kapaciteteve të naftës nën kontroll amerikan.
“SHBA-të e kapën me sukses Nikolas Maduron, i cili tashmë ndodhet në Nju Jork ku do të përballet me gjithë forcën e drejtësisë. Ne do ta qeverisim Venezuelën derisa të zbatohet një tranzicion i sigurt, i rregullt dhe i arsyeshëm. Do ta aktivizojmë naftën menjëherë, sepse dominimi i Amerikës në këtë hemisferë nuk do të vihet më kurrë në pikëpyetje”. – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Kushtet për të ardhmen e Venezuelës do t’i diktojë SHBA, shton sekretari i mbrojtjes, Pit Hegset.
“Kjo nuk ishte thjesht një operacion ushtarak, kjo ishte një veprim i zbatimit të ligjit. Ne do të vendosim kushtet për atë që do të ndodhë më tej në Venezuelë. Trump tregoi dominimin amerikan dhe ai do të diktojë se ku shkojmë më pas”. – deklaroi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Pit Hegset.
Ndërsa Uashingtoni e justifikon operacionin si shpëtim të amerikanëve nga kartelet e drogës, Gjykata Supreme në Karakas me procedurë të përshpejtuar emëroi nënkryetaren Delsi Rodrigez si presidente të përkohshme, e cila sulmin e quajti “rrëmbim barbar” dhe kërkoi mbrojtje të menjëhershme ndërkombëtare, duke theksuar se do të mbrojë burimet kombëtare.
“Kjo është një agresion ushtarak brutal dhe një rrëmbim i paligjshëm i një presidenti legjitim. SHBA-të shkelën çdo normë të së drejtës ndërkombëtare për shkak të naftës dhe mineraleve tona. Bëjmë thirrje për mobilizim të menjëhershëm të të gjitha forcave patriotike për mbrojtjen e sovranitetit. Nuk do të lejojmë që ky barbarizëm të kalojë pa u ndëshkuar”. – u shpreh Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delsi Rodrigez.
Reagimet nga bota janë të ashpra dhe të ndara, ndërsa Londra deklaroi se “nuk do të derdhë lot” për rënien e Maduros, Rusia, Kina dhe Brazili e dënuan më ashpër pushtimin si një “precedent të rrezikshëm” që shkel Kartën e OKB-së.
“Mbretëria e Bashkuar prej kohësh e mbështet tranzicionin e pushtetit në Venezuelë. Ne e konsiderojmë Maduron president të paligjshëm dhe nuk do të derdhim lot për fundin e regjimit të tij. Kërkojmë një tranzicion të sigurt dhe paqësor drejt një qeverie legjitime që pasqyron vullnetin e popullit venezuelian.” – thonë nga Mbretëria e Bashkuar.
“Veprimi i SHBA-së është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe e parimeve të Kartës së OKB-së. Kina u bën thirrje SHBA-ve të lirojnë menjëherë presidentin Maduro dhe bashkëshorten e tij, të ndalojnë rrëzimin e qeverisë së Venezuelës dhe t’i zgjidhin problemet përmes dialogut dhe negociatave.” – theksoi Tiang Liang, prezantues i Televizionit shtetëror kinez.
Këshilli i Sigurimit mblidhet nesër në seancë urgjente, ndërsa në kufijtë me Kolumbinë dhe Brazilin rritet pasiguria për hapat e ardhshëm të Uashingtonit. Autoritetet në Bogota kanë dërguar tashmë ushtarë dhe tanke në kufi. (Armend Murseli, TVM2)
