Maqedoni
Sondazh–eurointegrimet, qytetarët pro BE-së, ankohen për vonesa në reforma
01.06.2015 14:26
Edhe përkundër krizës politike, mbështetja për anëtarësimin e Maqedonisë në BE është ende e madhe dhe nuk ka pësuar ndonjë ndryshim në krahasim me vitin e kaluar...

Në një anketë të realizuar nga Instituti për Demokraci "Societas Civilis", shumica e qytetarëve të vendit, apo 58.8%, mbështesin hyrjen në BE, por pa lëshime për emrin e shtetit, ndërsa 23.8% mbështesin anëtarësimin, madje edhe me lëshime rreth emrit.
Anëtarësimin e Maqedonisë në BE nuk e mbështesin vetëm 13,6% e të anketuarve.
Shumica e qytetarëve, sipas hulumtimit, perceptojnë stagnim në integrimet evropiane në krahasim me muajin mars të vitit 2014.
Është zvogëluar ndërkohë perceptimi se Maqedonia ka përparuar në procesin e integrimeve, ndërsa është rritur përqindja e të anketuarve të cilët konsiderojnë se aspak nuk ka përparuar ose ka ndodhur kthim mbrapa.
Në vitin 2014, pjesa më e madhe e të anketuarve konsideronin se Maqedonia deri diku ka përparuar, përderisa në vitin 2015 57.3% e të anketuarve mendojnë se Maqedonia pak ose aspak nuk ka përparuar, 57.2% e të anketuarve të rinj mes 18 dhe 29 vjet konsiderojnë se Maqedonia nuk është e gatshme për anëtarësim në BE.
Në anketën e fundit vërehet ndryshim i përqindjes së atyre që mendojnë se arsyeja kryesore për atë që Maqedonia ende nuk është pjesë e BE së janë vendet fqinje.
Pjesa më e madhe e maqedonasve etnikë konsiderojnë se shkaku kryesor për atë që Maqedonia nuk është pjesë e BE-së janë fqinjët, 46,1%, të njëjtën e mendojnë edhe 37,2% e shqiptarëve etnikë. Shumica e shqiptarëve, apo 50.3%, mendojnë se arsyeja kryesore për mosintegrim është mosrealizimi i reformave vendore, 26,7% e maqedonasve të anketuar ndajnë mendimin e njëjtë.
Hulumtimi në terren i mendimit publik për integrimet evropiane të Maqedonisë është realizuar në periudhën nga shkurti deri në muajin mars të këtij viti me 1.603 të anketuar në gjuhën shqipe dhe maqedonase në kuadër të projektit "Rrjeti qytetar për parandalimin e përplasjes së interesave në administratën publike", që e zbaton Instituti për Demokraci "Societas Civilis"-Shkup.
Projekti është financuar nga BE-ja dhe është implementuar nga Institutit për Strategji Ekonomike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare "Ohër OI" dhe Institutit Maqedonas për Mediume.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
