Rajon

VV-ja me fitore mbi 50 për qind, Kurti nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja

05.01.2026 11:54

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore rekorde në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit...

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore rekorde në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, bazuar në rezultatet preliminare. Kur janë numëruar mbi 95 për qind e të gjitha votave, Vetëvendosje kryeson me 50.50 për qind, pasuar nga PDK-ja me 20.49 për qind dhe LDK-ja me 13.37 për qind. AAK-ja është e katërta me 5.55 për qind. 
 
Kurti në një intervistë për “Kosova Press” të dielën ka thënë se qeveria e re do të formohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por, i pyetur për çështjen e presidentit dhe nëse do të përkrahin Vjosa Osmanin edhe për një mandat pesëvjeçar, Kurti ka thënë se janë disa pika tjera të rëndësishme. Por, ai s’e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja në pranverë.
 
Kurti e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit. Ai thotë se është vështirësi e konsiderueshme të sigurohet qëndrimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit. Ndërkohë Osmani ka konfirmuar më herët qëllimin për të kandiduar edhe për një mandat si presidente.