Botë
Maduro para gjykatës federale në Nju Jork
05.01.2026 12:12
Maduro pritet të paraqitet sot për herë të parë para gjykatës federale në Nju Jork...

Udhëheqësi i rrëzuar i Venezuelës, Nikolas Maduro, pritet të paraqitet sot për herë të parë para gjykatës federale në Nju Jork, pas ndalimit të tij nga forcat amerikane. Seanca dëgjimore është planifikuar të zhvillohet në mesditë sipas kohës lokale përpara gjyqtarit të Gjykatës së Distriktit Amerikan për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, Alvin Hellerstein, bëri të ditur gjykata.
Maduro përballet me akuza që lidhen me trafik droge dhe armësh. Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se ka depozituar një padi të re kundër tij, pjesë e një çështjeje penale që autoritetet federale e kanë ndjekur prej rreth 15 vitesh. Maduro është përfshirë zyrtarisht si i pandehur në këtë çështje që prej gjashtë vitesh. Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Shtetet e Bashkuara po udhëheqin përpjekjet lidhur me situatën në Venezuelë. Ndërkohë, presidentja në detyrë e Venezuelës, Delci Rodriguez, bëri thirrje për bashkëpunim me ShBA-në. Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se po punojnë për krijimin e një qeverie të përkohshme në Venezuelë. Sekretari i Shtetit, Marko Rubio, tha se fokusi i Uashingtonit është në përcaktimin e politikave dhe ruajtjen e mekanizmave kryesore të ndikimit. Në deklarata të veçanta, Trampi përmendi mundësinë e veprimeve të mëtejshme në rajon, përfshirë Kolumbinë dhe Meksikën.
