L.A Lakers sërish më i mirë se Memfisi, Oklahoma mundet nga Feniksi

05.01.2026 13:16

Oklahoma City Thunder mbrëmjen e kaluar ka pësuar një disfatë të paparashikuar nga Phoenix Suns...

Kampioni aktual i NBA-së, Oklahoma City Thunder mbrëmjen e kaluar ka pësuar një disfatë të paparashikuar nga Phoenix Suns me 105-108. Fituesin e ndeshjes e përcaktuan tri pikët e Devin Booker ne 0.7 sekonda parafundit të ndeshjes. Booker  takimin e përfundoi me 24 pikë, ndërsa me 26 pikë më i spikatur ishte Jordan Goodwin. Violina e parë e Oklahoma City edhe në këtë takim me 25 pikë ishte Shai Gilgeous-Alexander. Ishte kjo disfata e gjashtë për Oklahoma City, që ka 30 fitore, ndërsa Phoenix iu gëzua fitores së 21-të me 14 humbje.
 
Në ndeshjet e tjera - Basketbollistët e Los Angeles Lakers në parket vendas me 120:114 e mundën Memphis-in. Kjo ishte fitorja e dytë e L.A Lakers, në tre ditë ndaj Memphisit. Detroit rikthehet te fitorja, duke mundur 114-110 Cleveland jashtë fushe dhe vijon të kryesojë në Konferencën e Lindjes. Milvoki si mysafir me 115:98 e mundi Sacramenton. Po ashtu në terren të huaj Minnesota, me rezultatin e lartë 141:115 e mundi Washington. New Orleans Pelicans, në transfertë me 106:125 u mundën nga Miami Heat. (Gazetar: Safet Admei)