Botë

Shtetet e Bashkuara nisën procedurën, Maduro para gjykatës në Nju Jork

05.01.2026 15:08

Shtetet e Bashkuara po nisin një betejë kyçe ligjore kundër ish-liderit venezuelian..

Shtetet e Bashkuara po nisin një betejë kyçe ligjore kundër ish-liderit venezuelian, Nikolas Maduro, i cili sot do të paraqitet për herë të parë në Gjykatën Federale në Manhatan, përballë 15 akuzave për narko-terrorizëm, korrupsion dhe trafik armësh. Mbrojtja e tij e konteston arrestimin, ndërsa Uashingtoni ka dërguar kërcënime të ashpra ndaj autoriteteve të reja në Karakas për ndërhyrje të mundshme ushtarake në rast rezistence.
 
“Me Delsi Rodrigezin do të jetë e thjeshtë: ose do të bashkëpunojë për të mirën e popullit të saj dhe për qasjen në naftë, ose do të paguajë një çmim edhe më të lartë se vetë Maduro. Nëse nuk sillen siç duhet, jemi të gatshëm për një ‘goditje të dytë’. Ne jemi forca kryesore atje.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Duke zbutur deklaratat e Trampit se ShBA-ja do të administronte përkohësisht Venezuelën, sekretari i shtetit Marko Rubio theksoi se Uashingtoni nuk do të ketë rol të përditshëm në vend, përveç zbatimit të “karantinës së naftës” ekzistuese.
 
“Ajo në të cilën jemi të përqendruar tani janë të gjitha problemet që ekzistonin kur Maduro ishte në pushtet. Do t’u japim njerëzve mundësinë t’i përballojnë këto sfida. Dhe derisa të mos zgjidhen, ata do të vazhdojnë të përballen me këtë karantinë të naftës dhe me presionin e ShBA-së.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
 
Megjithëse presidentja e përkohshme e Venezuelës, Rodrigez, fillimisht dërgoi mesazhe mbrojtëse, më pas nga Pallati Miraflores bëri thirrje për bashkëpunim dhe dialog. Megjithatë, ministri i Mbrojtjes paralajmëroi se veprimet e ShBA-së mund t’i ndodhin çdo vendi.
 
“Bota duhet të jetë në gatishmëri, sepse kjo përbën një kërcënim serioz për rendin global. Nëse sot ishte kundër Venezuelës, nesër mund të jetë kundër cilitdo shtet. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të presidentit Maduro dhe zonjës së parë, të cilët u rrëmbyen. Komanda e lartë ushtarake e Republikës sot është e bashkuar, duke qëndruar kundër agresionit imperialist që ndodhi.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino Lopez.
 
Ndërkohë, lideri opozitar Edmundo Gonzalez bëri thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe për respektimin e vullnetit të popullit, duke kërkuar njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të korrikut 2024, në të cilat ai u zgjodh president.
 
“Si president i venezuelianëve, u drejtoj një thirrje të qetë dhe të qartë Forcave të Armatosura Kombëtare dhe institucioneve të sigurisë shtetërore. Detyra e tyre është të zbatojnë mandatin sovran të shprehur më 28 korrik 2024. Ua kujtoj se besnikëria e tyre është ndaj Kushtetutës, popullit dhe Republikës.”, - deklaroi lideri i opozitës në Venezuelë, Edmundo Gonzalez.
 
Ndërsa reagimet ndërkombëtare vazhdojnë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur një seancë urgjente me kërkesë të Rusisë dhe Kinës, për shkak të, siç theksojnë, shkeljes së të drejtës ndërkombëtare nga ShBA-ja. Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, ka paralajmëruar për një precedent të rrezikshëm, ndërsa BE-ja ka bërë thirrje për qetësi dhe zgjidhje paqësore, duke përsëritur se Maduro nuk ka legjitimitet demokratik dhe se tranzicioni në Venezuelë duhet të jetë paqësor dhe sovran. Ndërkohë, Trampi ka zgjeruar kërcënimet ndaj Kolumbisë dhe Kubës, duke paralajmëruar se Venezuela është vetëm hapi i parë në riorganizimin e hemisferës jugore, ndërsa Bogota tashmë ka dislokuar trupa ushtarake në kufi.
 
FITORE NAGAVCI